E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tirana në kohën e Abdullah Abdullah

Në Afganistan do të rivotohet. Komisioni Zgjedhor për Kontestimet, organizëm i drejtuar nga OKB, pas rinumërimit, anuloi plot 1 milionë e 300 mijë skeda. Të gjitha skeda problematike: ku ishte votuar me të njëjtën dorë, ku s’ishte shënuar asgjë dhe numërohej si fitues Karzai. Manipulime u tregua se ishin bërë dhe nga rivali i Karzait, Abdullah Abdullah, por në proporcion, në rinumërimin total Karzai ulet, ndërsa Abdullah ngrihet në numër votash, duke çuar në një ndarje të pushtetit mes opozitës dhe Karzait.

Që pas votimeve të 20 gushtit, gjendja në Afganistan vazhdimisht ka qenë e tensionuar dhe tensioni kryesisht lidhej me kontestimin e rezultatit të votave dhe akuzat për manipulime. Deri në momentin që organizmat e UE dhe OKB ishin në rolin e vëzhguesve, çertifikuan rezultatin e Komisionit Zgjedhor te Pavarur afgan dhe njohën Karzain fitues, duke injoruar të vetmin zë të pavarur kundër: Peter W. Galbraith, ish-përfaqësues special i Ban Ki Moon në Afganistan. Por në momentin që këto organizma duhet të vinin firmën në rinumërimin e votave çdo gjë ndryshoi. Papritur zëri i Galbraith, që ndërkohë ishte larguar nga detyra pas denoncimit të manipulive, u bë i besueshëm dhe puna konkrete e të dërguarve perëndimorë u bë serioze.

Po në Tiranë çfarë ndodh ndërkohë? Edhe pse u votua gati dy muaj më herët se në Afganistan, gjendja është ende e pazgjidhur. Opozita ndodhet akoma pas shumë muajsh në nivelin e rivalit të Karzait, Abdullah Abdullah, që konteston rezultatin dhe thërret për manipulime. Mungon dhe një detaj i rëndësishëm: një Peter W. Galbraith që në Tiranë s’gjendet ose nuk i kishte kushtet të ishte. Ndërkohë, do të doja të bëja një tjetër paralelizëm duke kërkuar që opozita të reflektojë e të vlerësojë shansin që i ka dhënë populli për ta përfaqësuar: Në Itali, ku gjithashtu e majta është në polemikë me udhëheqjen berluskioniane ka një tjetër propozim. E majta italiane akuzon qeverinë se po anashkalon Kuvendin, se altari i popullit punon vetëm 4 orë në javë dhe ata mendojnë të ngulen aty, “ta pushtojnë” dhe të kërkojnë që gjithë punët të kalojnë për transparencë, të diskutohen, kontestohen. Në Tiranë, ku opozita ka shansin më të madh të ketë një diferencë të vogël numerike me mazhorancën, nuk e shfrytëzon këtë. Duket si një kapriço e kujt nuk njeh ç’është në të vërtetë Kuvendi.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›