E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trofeu i Kupës, një shans për Tiranën dhe Vllazninë

Kupa e Shqipërisë do të zhvillojë sot 16 ndeshjet e para turit të dytë, ku për herë të parë këtë sezon futen në skenë edhe skuadrat e mëdha. Ky trofe përgjithësisht nënvlerësohet për shkak se në plan të parë gjithnjë mbetet kampionati, por këtë herë puna qëndron ndryshe me dy prej skuadrave më të mëdha në vend, Tirana e Vllaznia. Duke parë gjendjen në kampionat dhe sidomos shkëputjen e Dinamos, Kupa mbetet kompeticioni ku këto skuadra do të synojnë të mos e mbyllin sezonin pa trofe. Për më tepër, që fitorja e Kupës të çon direkt në turin e dytë të Europa League, pasi UEFA i ka dhënë një rëndësi më të madhe këtij trofeu. Përpos kësaj, thuajse të gjitha skuadrat e mëdha do të zbresin në fushë me të rinjtë dhe kjo lidhet me faktin se edhe kundërshtarët janë vërtetë shumë modestë.
Tirana
Bardheblutë do të udhëtojnë për në Luz, aty ku i pret padyshim një festë e vërtetë. Kjo skuadër është krijuar vetëm një vit më parë dhe tashmë pret në fushën e saj kampionët e vendit. Fusha e Luzit është bërë jo pak e famshme edhe për faktin se para ndeshjes me Danimarkën aty zhvilloi stërvitjen ekipi kombëtar. Për takimin e sotëm trajneri Alban Tafaj ka lënë në shtëpi thuajse të gjithë titullarët, përfshirë Memellin, Muzakën, Abraham, Osmanin apo Ablialiajn. Ai do të hedhë në fushë të rinjtë dhe rezervat, që mendohet të mos e kenë shumë të vështirë përballë skuadrës vendase.
Vllaznia
Skuadra shkodrane është në një pozicion më delikat se Tirana dhe Kupa duket një ngushëllim i mirë edhe për të. Vllaznia u rikthye te fitorja në fundjavë, kur mundi në fushën e saj 2-0 Shkumbinin, ndërkohë që sot pritet të mos e ketë të vështirë ndaj një ekipi si Tomori i Beratit. Edhe trajneri Luçi pritet t'i lërë në shtëpi titullarët, në mënyrë që t'i ketë më të freskët për takimin ndaj Laçit ditën e shtunë. Vllaznia ka përballë një skuadër me mjaft traditë, por që vitet e fundit qëndron në kategoritë e ulta të futbollit shqiptar.
Ndeshjet
Në takimet e tjera që do të luhen sot, spikat transferta e Partizanit në Velipojë kundër Adës. Në letër, kjo mund të konsiderohet si përballja më e fortë e ndeshjeve të sotme, pasi të kuqtë janë mundur 5-0 në kampionatin e Kategorisë së Parë nga Ada. Ndërkohë, Dinamo mendohet ta ketë shëtitje përballë Mamurrasit, megjithëse edhe blutë do të hedhin në fushë rezervat për ndeshjen e sotme. Vetëm tre janë titullarët që Muça do të ketë në fushë, ndërsa pjesa tjetër do të qëndrojë pushim në pritje të ndeshjes së fundjavës. Sa i përket fitueses në fuqi, Flamurtarit, ajo do ta nisë mbrojtjen e trofeut nga skuadra e Gramshit, ndërkohë që është e qartë se mendja e të gjithëve në Vlorë është te ndeshja me Shkumbinin në fundjavë. Besa ndërkohë do të ndeshet me Pogradecin, ndërsa Shkumbini me Memaliajn. Një nga duelet më të forta që do të zhvillohen sot është ai që vë përballë Burrelin dhe Lushnjën, dy skuadra të Kategorisë së Parë dhe që nuk kanë ndonjë diferencë të madhe mes tyre.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›