Aksidentohet polici 40-vjeçar, autori e braktis në rrugë
Ramazan Xhediku, specialist i policimit në komunitet, po kthehej në shtëpi me motor, kur është përplasur nga një “Benz”. Ndodhet në gjendje të rëndë në spital
Tiranë Një punonjës i policisë së Komisariatit nr. 5, ka mbetur i plagosur rëndë pas një aksidenti automobilistik ndodhur mbrëmjen e së enjtes nga një automjet ende i paidentifikuar. Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 20:40, në rrugën “Siri Kodra”, teksa punonjës i policisë, Ramazan Xhediku që udhëtonte me një motoçikletë, është përplasur nga një automjet tip “Benz” me ngjyrë të zezë, i cili mbetet ende i paidentifikuar pavarësisht angazhimit maksimal të policisë. Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur në momentin kur punonjësi i policisë, me detyrë specialist i policimit në komunitet, po kthehej për në banesën e tij. Pikërisht në aksin që lidh rrugët “Jordan Misja” dhe “Siri Kodra”, motori tip “Honda” është përplasur nga automjeti tip “Benz” me ngjyrë të zezë, i cili as që nuk ka ndaluar t’i japë ndihmën e parë të aksidentuarit. Si pasojë e përplasjes është dëmtuar rëndë 40-vjeçari Ramazan Xhediku, i cili është dërguar me një mjet të rastit në Spitalin Ushtarak të Tiranës, ku ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore. Gjendja e policit të aksidentuar ka qenë e rëndë deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, ku sipas informacioneve nga Spitali Ushtarak, bëhet me dije se 40-vjeçari ndodhet i shtruar në reanimacionin e këtij spitali. Gjendjen e rëndë e konfirmuan edhe drejtues të policisë, të cilët thanë se, pavarësisht kujdesit të vazhdueshëm të mjekëve, punonjësi i policisë vazhdon të mbetet ende në reanimacion duke luftuar me vdekjen. Menjëherë pas aksidentit, në vendngjarje kanë shkuar forca të shumta policie, të cilët kanë kryer ekspertimin mjeko-ligjor dhe atë auto-teknik për dëmtimet që ka pësuar motoçikleta me të cilën udhëtonte punonjësi i policisë. Në bazë të të dhënave të dëshmitarëve, është bërë e mundur të përcaktohet lloji i mjetit që shkaktoi aksidentin, i cili është një automjet tip “Benz” ngjyrë e zezë, si dhe një targë e përafërt, pasi makina është larguar me shumë shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Të gjitha të dhënat janë administruar tashmë në dosjen hetimore, e cila do t’i kalojë Prokurorisë së Tiranës për hetime të mëtejshme. L.Bakillari