E Diel, 1 Nëntor 2026

Tirana ngec në Ballsh, Vllaznia mposht Laçin

BALLSH- Tirana nuk ka shkuar më shumë se një barazim 0-0 në Ballsh kundër Bylisit, në ndeshjen e parë të grupit A, e vlefshme për raundin e tretë të Kupës së Shqipërisë. Pas 18 pikëve të marra në fazën e parë në grupe, bardheblutë kanë treguar dje se kanë ende probleme në ekip, sidomos në repartin e sulmit, ku duket se nevojiten patjetër përforcime. Gjithsesi, në takimin e djeshëm dy skuadrat janë munduar më shumë të mos pësojnë gol, sesa të shënojnë. Pika e djeshme duket një rezultat pozitiv për skuadrën e Rubios, duke parë që me të njëjtin rezultat përfundoi edhe ndeshja tjetër e grupit A, mes Kastriotit e Kamzës. Ndërkohë, Vllaznia duket se i ka lënë pas problemet e shfaqura në merkaton e dimrit, me ndryshimet e shumta në ekip. Shkodranët mposhtën 2-0 Laçin, në ndeshjen e parë të grupit B, për Kupën e Shqipërisë. Rudi Vata ka hedhur në fushë një skuadër të kujdesshme, megjithatë rastet për shënim në pjesën e parë nuk munguar. Në pjesën e dytë, Vllaznisë i mjaftuan 7 minuta për të gjetur avantazhin, me anë të mesfushorit Dritan Smajli. Çerek ore para fundit, sulmuesi i ri Jurgen Gjini shënoi golin e dytë, duke vulosur kështu 3- pikët e Vllaznisë.
SUPERSFIDA
Pas tre ndeshjeve të para të Kupës, nesër do të zbresin në fushën e blertë Skënderbeu dhe Flamurtari, në një sfidë që të kujton betejat e edicionit të shkuar. Korçarët e mbyllën mirë vitin 2011, por vlonjatët janë përforcuar së tepërmi në merkaton e dimrit, duke marrë futbollistë si Toni Pezo apo Pero Pejiç. Veç kësaj, marrja në pankinë e Shkëlqim Muçës, i jep një tjetër pamje Flamurtarit. Skënderbeu dje është përforcuar edhe me një tjetër emër, duke marrë Dimon nga Bylisi për 15 mijë euro, ç’ka tregon se drejtuesit e këtij klubi duan patjetër të rikthehen në zonat e larta të renditjes.
(ma.ar/A. Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›