E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trajneri i kombetares shqiptare De Biazi nis vezhgimet

Stacioni i tij i parë ishte Zvicra, edhe pse nuk bëhet fjalë për ndeshje zyrtare. Trajneri i kombëtares shqiptare, Xhani De Biazi, u ndodh dje në stadiumin “Lido” të Lokarnos ku skuadra vendase luajti ndaj Zyrihut, në një miqësore. Qëllimi i italianit ishte të vëzhgonte sulmuesin e Lokarnos, Armando Sadiku, njërin prej shënuesve më të mirë në Zvicër këtë sezon, edhe pse në kategorinë e dytë.
Njëkohësisht, De Biazi pati mundësinë të ndiqte mbrojtësin Klodian Semina, i cili pas përvojave në Bullgari dhe në Shqipëri me Vllazninë, po provon fatin në vendin e helvetëve.
Nuk dihet se cilat janë përshtypjet e De Biazit për dy lojtarët, në një ndeshje që u fitua 3-0 nga Zyrihu, ndërsa skuadra vendase ishte më prapa në përgatitje, pasi Superliga zvicerane fillon më shpejt sesa kategoria e dytë.
Ndihmësi i De Biazit, Tramexani, besohet se ka qenë në Gjermani për të ndjekur Odise Roshin, ndërsa stafi italian po nxiton për të njohur sa më shpejt lojtarët e kombëtares që luajnë jashtë vendit. Në datat 21 deri në 25 janar, trajneri i ri bëri njohjen e parë me futbollin shqiptar, pasi stërviti lojtarë të përzgjedhur të Superligës, duke pasur mes tyre edhe sulmuesin e Liteksit në Bullgari, Armando Vajushi. Shqipëria luan miqësoren e parë me De Biazin më 29 shkurt ndaj Gjeorgjisë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›