E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tirana, nisin ethet e merkatos

Tirana është në kërkim të një zëvendësuesi të Daniel Xhafajt (vetëm 3 gola në 15 javë). Presidenti me rotacion Refik Halili në mënyrë konfidenciale është shprehur se kërkon një futbollist cilësor në merkaton dimërore, që mund të jetë i huaj.

Sipas gazetës “Metropol Sport”, ky mund të jetë sulmuesi boshnjako-kroat Stanisha Nikolic. Gjithsesi, ende nuk ka një prononcim nga ana e trajnerit Agustin Kola, i cili thjesht ka përmendur faktin se skuadra e tij ka nevojë për përforcime për të fituar trofeun e 24-t në kampionat.

E përditshmja tjetër sportive “Panorama Sport” ka hartuar edhe një listë të lëvizjeve të lojtarëve të Tiranës. Gjithmonë sipas saj, mund të largohen Abraham Alechenu, Daniel Xhafaj, Toni Pezo e Pece Kuronovski, ndërsa në atë afrimeve përmenden Nevil Dede, Saimir Patushi, Vilfor Hysa, Emiljano Vila e Erion Rizvanolli.

Tirana shkatërroi Lushnjën në Kupën e Shqipërisë (4-1, 5-0) dhe në takimin e së mërkurës, Migen Memelli - goleadori më i mirë i Tiranës në të dy kompeticionet, 15 gola në total - shënoi të pesë golat në fitoren e pritshme të 13-herë fituesve të Kupës.

Të shtunën, Tirana do të përballet në Vlorë me Flamurtarin, dhe sulmuesi Memelli – shënoi tre gola në fitoren 3-1 në kryeqytet – deklaroi se bardheblutë do të shkojnë në Vlorë për të marrë trepikëshin, parë dhe faktin se me Vllazninë kryesuese vazhdon ta ndajë një diferencë prej 4 pikësh në favor të shkodranëve.

Tirana e ka rritur agresivitetin në vijën e parë, kjo falë dhe skemës me dy sulmues që po aplikon trajneri Agustin Kola. Në dy ndeshjet zyrtare të drejtuara nga pasuesi i Blaz Slishkovicit, bardheblutë kanë shënuar 8 gola pa pësuar asnjë të tillë.


E Enjte, 18 Dhjetor 2008  

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›