E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlore, nis rikonstruksioni i Muzeut Historik

Nga Enrik Mehmeti
Projekti 9 milionë lekë përfundon për 4 muaj. Muzeu Historik i Vlorës është një nga objektet më të pasura në vend me relike të lashtësisë e kulturës së trevës dhe asaj kombëtare. Ai vizitohet nga mijëra turistë. 

VLORE Nis rikthimi në identitet i godinës së Muzeut Historik në qytetin e Vlorës, një nga objektet më të vjetra në këtë qytet, si dhe një nga institucionet më të rëndësishme për historinë dhe kulturën e Vlorës e më gjerë. Burime për "Gazeta Shqiptare" pohojnë se kjo godinë e ndërtuar në vitet 1918-1922 të shekullit të kaluar, i është nënshtruar kohët e fundit rikonstruksionit të plotë me një fond prej 9 milionë lekësh të buxhetit të shtetit, lëvruar nëpërmjet Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë e Sporteve.
PROJEKTI
Skënder Spahiu, drejtor i Muzeut pohon se "projekti parashikon rikonstruksionin e mjediseve të brendshme të godinës, restaurimin e fasadës së saj, realizimin e hidroizolimit, modernizimin e sistemit të ndriçimit, zëvendësimin e stendave ekzistuese me të tjera më funksionale etj". Sipas tij, projekti pritet të përfundojë brenda një periudhe 4-mujore, ndërkohë që ai synon të ridimensionojë jo vetëm vlerat e Muzeut Historik, por edhe ato të godinës ku është vendosur. Godina e ndodhur në qendër të qytetit është mjaft e veçantë për shkak të stilit të saj arkitekturor, që përbën një gërshetim të traditave qytetare në ndërtim dhe elementeve të stilit barok. Fillimisht ajo ka shërbyer si godinë e Bashkisë së qytetit të Vlorës dhe më pas për organizatat e masave deri në vitin 1962, kur u krijua Muzeu Historik.
MUZEU
Në këtë institucion janë të ekspozuara e ruhen qindra objekte origjinale, të cilat përfaqësojnë dhe pasqyrojnë periudha të ndryshme historike, nga antikiteti e deri në ditët tona. Mes tyre përfshihen objekte arkeologjike që u përkasin qyteteve të ndryshme antike në rrethin e Vlorës si, Orikut, Amantias, Plocës, Olimpias (Mavrovë), Kioninës (Kaninë) etj. Në mjediset e këtij muzeu ndodhen gjithashtu objekte origjinale të periudhës së mesjetës, armë, sende luftëtarësh të njohur në histori. Në Muzeun Historik ka një kënd të veçantë ku pasqyrohet kontributi i popullit vlonjat për shpalljen e Pavarësisë. Në të ndodhen njëkohësisht edhe 2 pavijone që evokojnë Luftën e Vlorës në 1920-ën, si dhe Lëvizjen e Qershorit 1924. Në këtë muze është vendosur edhe arkivoli origjinal ku prehej trupi i patriotit Avni Rustemi, nga momenti që u varros e deri në çastin kur u zbulua për t'u rivarrosur në të njëjtin vend. "Rehabilitimi i godinës së Muzeut Historik është pjesë e investimeve që po realizohen në ruajtjen e vlerave kulturore, historike e arkeologjike në qytetin dhe rrethin e Vlorës. Pak muaj më parë përfunduan projektet e rehabilitimit të godinave të Muzeut Kombëtar të Shpalljes së Pavarësisë dhe Muzeut Etnografik. Gjithashtu është në proces edhe një projekt i ngjashëm me Kullat e Dervish Aliut, në fshatin Dukat, 30 km në jug të qytetit të Vlorës", - shton drejtori Spahiu.

(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›