E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tirana, pas 23 vitesh me plan urbanistik

15-02-2013 / Gazeta 55

Berisha: Tirana u mbajt peng nga babëzia e ish kryetarit të Bashkisë. Basha: Plani i Tiranës, në thelb transparencën dhe gjithëpërfshirjen



Pas 23 vitesh, Tirana ka planin e saj të përgjithshëm rregullues. Ky plan, i hartuar nga ekspertët më të mirë vendas është bazuar mbi dy parime, - tha Kryebashkiaku Basha, transparencën dhe gjithpërfshirjen. 



“Plot 24 sesione konsultimesh të hapura dhe mbi 68 000 qytetarë kanë marrë pjesë aktive në këto konsultime, ose duke qenë të pranishëm fizikisht, ose përmes vërejtjeve, komenteve, sugjerimeve që kanë bërë të mundura në faqet e veçanta të dedikuara, të komunikimit elektronik apo nëpërmjet komunikimit zyrtar postar me institucionet përkatëse, kryesisht me Bashkinë e Tiranës.



Ka qenë kjo shkallë gjithpërfshirje, natyrisht edhe me faktorë të tjerë të rëndësishëm siç janë shoqëria civile, biznesi, Dhoma e Tregtisë e Industrisë, Shoqata e Ndërtuesve, shoqatat e arkitektëve, shoqatat mjedisore që kanë garantuar një shkallë të paprecedentë dhe të papërjetuar transparence, në procesin e hartimit dhe miratimit të normave të shumta, komplekse e voluminoze të këtij plani. Duke theksuar edhe njëherë këto dy parime, gjithpërfshirjen dhe transparencën, që në fakt janë çelësi që zgjidhi probleme të shumta, siç ishte problemi i tensionit midis interesit privat dhe interesit publik, siç ishte problemi i trajtimit të pabarabartë do të thoja “kriminal” të pronës, në këto vite të mungesës së planit” – u shpreh Kryebashkiaku Basha.



Kryeministri Sali Berisha, njëherësh kryetar i KKT, ndërsa ka vlerësuar punën e bërë nga administrata e re e Bashkisë së Tiranës, në një hark të shkurtër kohor, për t’i dhënë qytetit planin urban, ka theksuar se për 11 vjet, Tirana u mbajt peng nga babëzia e ish - kryetarit të Bashkisë. “Nuk ka pasur asnjë faktor tjetër që ka lënë kryeqytetin e Shqipërisë pa plan rregullues, përveç babëzisë, ndaj dhe ish-kryetari i Bashkisë do të regjistrohet në analet e historisë së kryeqytetit, si kryetari i babëzisë. Paraqitja e planit në një afat të shkurtër kohor është meritë e veçantë e ekipit të ri të Bashkisë së Tiranës. Së pari, unë i përgëzoj ata për guximin e madh që treguan për të anuluar planin që trashëguan, plan i cili ishte i bazuar kryekëput në politikën e shpërblimit dhe ndëshkimit. Ndëshkoheshin në mënyrë shembullore zonat autoktone të Tiranës, të cilat prej shumë e shumë vitesh nuk votonin kryetarin dhe nuk votonin majtas. Shpërbleheshin të gjithë bajlozët e betonit, për faktin e vetëm se ata mund ta peshonin kryetarin me miliona e miliona dollarë, mund ta peshonin kryetarin me kate dhe disa kate të ndërtimeve të tyre. Shpërbleheshin dhe korruptoheshin zyrtarë të lartë, përfshi kryetarin e shtetit që shiti karrigen për tre leje ndërtimi. Pra, plani ishte shndërruar në një fatkeqësi të madhe për kryeqytetin dhe ekipi i ri pati guximin qytetar ta anulojë atë, para se qytetarët të thirreshin në votime. Fakti që qytetarët e Tiranës rrëzuan me votën e tyre planin e ndëshkimit dhe shpërblimit, dëshmon drejtësinë e vendimit që mori ekipi i ri i Bashkisë dhe në një farë mënyre, më 8 maj u zhvillua edhe referendumi për planin rregullues të qytetit të Tiranës. E vërteta është që bashkë me planin, ata nxorën nga pushteti edhe shefin e planit i cili kishte parashikuar vazhdimin e betonizimit të kryeqytetit dhe faktikisht, dora-dorës asgjësimin e tij për qytetarin”- u shpreh Berisha.   



Kreu i ekzekutivit ka vlerësuar faktin se ky plan parashikon që hapësirat e gjelbra të arrijnë në 4.2 metër katror për banor, nga 0.8 që është sot dhe i jep qytetit të gjitha kushtet, për të qenë një qytet i shëndetshëm dhe ekologjik. “Ky plan i kthen qytetarit, qytetin. Ky plan sot ka vendosur në epiqendër qytetarin e Tiranës, hapësirat e tij jetësore, mjediset e tij social-kulturore, rrugët e tij për këmbësorë, për çiklistë dhe synon në tërësinë e tij që mbitokën t’ia lërë qytetarit dhe nëntokën parkingut edhe trafikut. Plani i jep fund praktikës primitive të ndëshkimit të qytetarëve. Mund të imagjinoni ju dy fqinjë, të cilët kishin shekuj që jetonin pranë njeri –tjetrit dhe për shkak të njollës së ndërtimit njëri gdhihej milioner, në mos më shumë, tjetrit i shtohej edhe hija e pallatit dhe mbetej në varfërinë e tij. Plani i jep fund kësaj situate. Ai ndan në pjesë të barabarta të gjithë të ardhurat që sigurohen nga ndërtimi për truallin dhe mjedisin përreth. Pra, nuk do të ndodhë më që hija e pallatit të shndërrohet në hije mjerimi për ata që jetojnë përreth tij”.



Kryeministri Berisha ka paralajmëruar hapa ligjorë, të cilët do të mundësojnë nisjen sa më parë të zbatimit të këtij plani, i quajtur “kushtetuta” e qytetit. “Qytetarët e Tiranës presin me padurim se në këtë rast pjesa e ndëshkuar, tiranasit autoktonë, po të hidhni sytë në lagjen e tyre, u bënë zona të ndaluara ndërtimi dhe ata presin me padurim të shohin edhe ata zhvillimin, në përputhje me këtë plan të zonave të tyre, ndaj dhe së pari, është emergjent hartimi i akteve ligjore dhe nënligjore, mbi bazën e të cilave Këshilli Kombëtar i Territorit nuk do të ketë më asnjë autoritet mbi territorin e qyteteve të vendit. Së dyti, krijimi i këshillave teknikë, le t’i quajmë, të cilët me kryetarin  do të marrin vendimet përkatëse. Së treti, është e domosdoshme që planet e detajuara vendore të jenë të gatshme sa më shpejt, në mënyrë që qyteti të rimarrë ndërtimet. Është zhvillimi, është punësimi, janë me mijëra familje që presin këtë. Është e domosdoshme që të hiqet rregulli me dakortësinë me dy të tretat, sepse i bie bllokim me 2/3-tat. Ju e shihni, ai po bllokon tre ligjet për integrimin e vendit. Çfarë  e ka ai për të bllokuar ndërtimet?! Nuk mund të ketë bllokim, sepse ne kemi vendosur parimin  e përfitimit të barabartë nga zhvillimi i territorit. Kjo mund të jetë kompetencë e atyre që kanë përgjegjësi ligjore për zhvillimin e qytetit dhe nuk mund të pengohet zhvillimi i qytetit. Heqim dorë nga format bllokuese, sepse jemi unikë në botë për të bllokuar! Nuk është vetëm  një që bllokon, nuk mund të ketë bllokime të tilla për interesa të qytetit, interesa të vendit. Parametër kryesor për efekt të planifikimit të planeve të detajuara vendore duhet të jetë intensiteti i ndërtimit. Ai është dëshmitari, ai është parametri se si vepron ti, sa i drejtë je ti, si i harmonizon ti interesat e qytetit, qytetarit dhe me radhë, pra sa metër katror mbi tokë mund të ndërtohet. Ky duhet të jetë parametri themelor” - theksoi kreu i qeverisë Sali Berisha.



Zhvillimi rajonal i integruar i Tiranës, në kuadrin e Tiranës së madhe ka qenë në qendër të planit të përgjithshëm rregullues. Në këtë kuadër, Bashkia e Tiranës firmosi marrëveshje ndërvendore me autoritetet e njësive vendore kufitare me bashkinë e Tiranës; Bashkinë Kamëz; Komunën Paskuqan; Komunën Dajt; Komunën Farkë;



Komunën Kashar dhe Komunën Bërxull. 




Plani urbanistik – Tirana me katër unaza, 340 ha hapësira të gjelbra



Plani urbanistik i Tiranës parashikon Tiranën policentrike, Tirana me 13 qendra, të cilat ofrojnë shumëllojshmëri të shërbimeve, të ngjashme me qendrën e tanishme të Tiranës.



Tirana e gjelbër, Tirana me më shumë gjelbërim parashikohet 4.2 metër katrorë gjelbërim për frymë, nga 0.8 që është sot. Plani i Përgjithshëm Vendor propozon krijimin në qytet të 40 territoreve të reja të ose 340 hektarë hapësira të gjelbra dhe të 14 territoreve të reja sportive, krahas atyre ekzistuese. Po kështu, Plani i Përgjithshëm Rregullues i Tiranës parashikon krijimin e parqeve të përbashkëta rajonale mes Tiranës dhe komunave përreth, si Farka Paskuqani etj. 



Tirana do të ketë një sistem rrugor unazor, ku përveç unazës ekzistuese do të ndërtohen edhe katër unaza të tjera. Këto do të ndihmojnë ndjeshëm në lehtësimin e trafikut brenda Tiranës dhe trafikut që lidh Tiranën me zonën metropolitane. Zhvillimi i transportit publik synon të zgjerojë më tej rrjetin e transportit publik, në aspektet e zhvillimit të linjave të tramit, të transportit më autobusë, zhvillimit intermodal dhe hekurudhor.



Plani i përgjithshëm vendor parashikon ndërtimin e një terminali të transportit intermodal, së bashku me rivendosjen e Stacionit të Trenit të Tiranës; zhvillimin e linjave të tramit përveç sistemit të autobuzëve. Po kështu, në planin e pergjithshëm vendor parashikohet ndërtimi i  11 parkimeve publike, të vendosura kryesisht në qendër të qytetit.



Nuk ka asnjë zonë të ashtuquajtur muzeale të diskriminuar, siç ishte Njësia 8 më parë, por i jepet e drejta e zhvillimit të pronës të gjithë atyre që kanë dëshirë ta zhvillojnë. Plani është bazuar në listën e miratuar, të objekteve të ruajtura e miratuar nga Instituti i Monumenteve të Kulturës.   



Plani për herë të parë shoqërohet me plan infrastrukturash me investime publike, në ujësjellës e kanalizime, në shkolla, çerdhe etj, pra urbanizimin e qytetit, përpara se ndërtimi të bëhet fakt dhe për të evituar një “Komunë Parisi” të dytë.



Ky plan urban, duke marrë parasysh nevojat e zgjerimit të qytetit planifikon 101 çerdhe të reja, 55 kopshte, 25 shkolla 9 vjeçare dhe 6 shkolla të mesme.  



...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›