E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tirana, rrugë të mbarë

Në fillim të cdo sezoni, emri i parë që përmendet përsa i përket shanseve reale për të luftuar për titull, është ai i skuadrës kryeqytetase të Tiranës, kjo edhe për vetë faktin se bardheblutë i kanë dhënë tonin futbollit shqiptar të periudhës së postkomunizmit. Dhe, sikundër pritej, pavarësisht luhatjeve të zakonshme të fillimsezonit, që për gjiganten kryeqytetase kishte filluar në fakt që me katër ndeshjet e luajtura gjatë verës në dy turet e para të Kupës (ku mposhti kroatët e Varteksit të Varazhdinit, por u dorëzua përballë turqve të Kajzerisporit), Tirana është në rrugë të mbarë drejt rifitimit të titullit "kampion", që sezonin e shkuar iu mohua nga Elbasani.
Në fakt, pavarsisht edhe faktit se ndërroi trajnerin, duke larguar nga pankina Mirel Josën dhe duke e zëvendësuar atë me sekretarin e klubit, Shkëlqim Muca, për Tiranën duket mëse e përshtatshme shprehja e veteranit të pankinave shqiptare dhe ish-trajnerit të Kombëtares dhe, këtë sezon, ish-trajnerit të Partizanit, Neptun Bajko, i cili, i pyetur për synimet e të kuqve kryeqytetas për këtë sezon, u përgjigj: "Ne (Partizani dhe të tjerët), do të marrim thërrimet që do të lërë Tirana në tryezë". Titulli tashmë është thjesht cështje e të gjithëve kundër Tiranës.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›