E Diel, 1 Nëntor 2026

Tronditet Ksamili, 24-vjeçari qëllon me breshëri ndaj borxhliut

KSAMIL Nuk i jep paratë, i qëllon me breshëri automatiku shtëpinë. Një konflikt për mosshlyerjen e pagesës, ka degjeneruar në të shtëna me armë zjarri mbrëmjen e së enjtes në qendër të Ksamilit. Ngjarja e rëndë që përhapi panik, por fatmirësisht pa shënuar të lënduar, ndodhi rreth orës 22:30 në afërsi të qendrës në qytezën e Ksamilit. Një i ri nga Berdeneshi, i identifikuar si Besmir Bajramaj, 24 vjeç, ka goditur disa herë me pistoletë, në drejtim të banesës së shtetasit Vangjel Pella, 48 vjeç. Pas informacionit të marrë, menjëherë është ngritur grupi hetimor dhe ka shkuar në vendngjarje për veprimet hetimore. Burime policore të Sarandës thanë se gjatë kryerjes së veprimeve hetimore, në vendngjarje janë gjetur disa gëzhoja pistolete, si dhe shenja predhash në muret e banesës së banorit ksamiljot, Vangjel Pella, ndërsa bëjnë të ditur gjithashtu se nga goditjet me armë nuk ka pasur të lënduar, përveç dëmeve materiale. Autori i dyshuar i ngjarjes, Besmir Barjamaj, është larguar bashkë me armën e krimit, ndërkohë që Policia e Sarandës ka organizuar disa postblloqe dhe kontrolle banesash, por pa mundur ta kapë atë. Besmir Barjamaj, i cili tashmë është shpallur në kërkim policor,  akuzohet për tri vepra penale, armëmbajtje pa leje, kanosje dhe prishje të rendit e qetësisë publike. Sipas burimeve policore, ngjarja e fundit lidhet me një konflikt për mosshlyerjen e një pagese nga i dëmtuari Vangjel Pella, kundrejt babait të autorit të ngjarjes, Besmir Barjamaj, pasi i dëmtuari ka blerë disa gurë nga babai i autorit dhe nuk i ka kthyer të gjitha paratë. Në vitin 2008, Bajramaj ka qenë i arrestuar edhe për plagosjen me armë zjarri të kreut të atëhershëm të PDIU-së, Shpëtim Avduli, , ngjarje kjo e ndodhur në qytetin e Sarandës. Pas pak kohësh, ai u la i lirë nga Gjykata e Sarandës.                                sh.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›