E Diel, 1 Nëntor 2026

Tirana, skuadra përgatitet në rrugë për sfidën me Utrehtin

Bardheblutë Holandezët, pa portierin “portokalli” Vorm dhe kapitenin Silberbauer

Tirana është përgatitur gjatë rrugës për sfidën e sotme kundër Utrehtit, në stadiumin “Galgenvard”, e cila do të luhet në orën 20.00. Për shkak të problemeve (mbi të gjitha prej pakujdesisë së klubit) me vizat Shengen për futbollistët, skuadra bardheblu është nisur nga aeroporti “Nënë Tereza” rreth mesditës së djeshme, ndërsa ka humbur stërvitjen zyrtare në tokën holandeze. 24 herë kampionët e kanë përgatitur sfidën gjatë rrugës, të paktën në teori, sepse më parë janë detyruar të qëndrojnë në Budapest për transitin, ndërsa pas “zbarkimit” në Amsterdam, ata udhëtuan edhe 34 kilometra me autobus për t’u akomoduar në Utreht. Trajneri Sulejman Starova do të hedhë në fushën e lojës një formacion mjaft difensiv, ku pritet të luajë me pesë mbrojtës dhe vetëm një sulmues. Tirana vjen në ndeshjen e turit të dytë eliminator të Europa League përballë Utrehtit, pasi më parë kaloi hungarezët e Zalaegerszegi TE.

Ndërkohë, skuadra holandeze kërkon të mos i japë asnjë shans Tiranës dhe synon fitore të thellë prej 90 minutave të para. Trajneri Ton du çatinier do të hedhë në fushën e lojës një skuadër superofensive, ku reparti sulmues do të përbëhet nga treshja Mertens-Van Volfsvinkel dhe Mulenga. Ndërkohë, tek Utrehti nuk kanë munguar problemet përpara ndeshjes. Së fundmi situata është tensionuar dhe protagonist është bërë portieri titullar, Mishel Vorm: “gardiani” sapo është kthyer nga Kupa e Botës 2010, ku ishte pjesë e Holandës finaliste dhe ka bërë të ditur se do të marrë disa ditë pushime përpara se të rifillojë stërvitjen. Por, klubi nuk e ka pritur mirë vendimin pa u konsultuar me portierin dhe presin që Vorm të jetë i gatshëm për sfidën e sotme. Tek Utrehti do të mungojë edhe kapiteni Mikael Silberbauer, i cili është i dëmtuar, ndërsa tekniku Du çatinier ka kërkuar kujdes: “Kundërshtarët do të presin në mbrojtje dhe do të kërkojnë të na kapin me kundërsulme. Duhet të jemi të kujdesshëm, pasi përveçse të shënojmë, duhet edhe të mos pësojmë gola”.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›