Zhgënjen Dinamo, por shpreson në kthim
Ka qenë një zhgënjim për Dinamon ndeshja e parë në transfertë ndaj skuadrës moldave të Sherif Tiraspolit, e vlefshme për turin eliminator të Champions League. Blutë e drejtuar nga trajneri argjentinas, Luis Manuel Blanko, janë mundur me rezultatin 3-1 në një ndeshje, ku duhet theksuar se loja e kampionëve të Shqipërisë nuk ka qenë e gjitha për t’u nënvlerësuar. Tekniku Blanko kishte përzgjedhur 11-shen e tij të besuar për këtë takim, ku bardheblutë synonin një rezultat pozitiv. Në portë kishte zbritur, blerja e re e këtij sezoni, portieri i Kombëtares Isli Hidi. Para tij në mbrojtje ishin rreshtuar kapiteni Pisha, Xhafa, Malakarne, Putincanin. Mesfusha përbëhej nga dyshja Vila dhe Muzaka, në krah dhe Garcia e Diop në qendër. Allmuça nuk u aktivizua nga minuta e parë për shkak të dëmtimit, i cili e kishte lënë pa stërvitje për një kohë të gjatë dhe ai kishte mundur të rikthehej vetëm ditët e fundit. Ndërsa sulmi i ishte besuar golashënuesit të bluve, Elis Bakaj dhe Martinena. Kundërshtari kishte integruar në formacionin e tij edhe blerjet e reja gjatë merkatos së verës, mesfushorin Vranjes dhe sulmuesin Fred. Gjithsesi, që në minutat e para të takimit është pikërisht Dinamo ajo që tregohet agresive dhe sulmon portën kundërshtare me anë të Vijës pas vetëm 4 minutash, por gjuajtja e futbollistit durrsak është pritur nga portieri Stoyanov. Në aksionin e parë drejt zonës së shqiptarëve, në minutën e 9, moldavët arrijnë të fitojnë një goditje këndi, nga ku vjen edhe goli i avantazhit për ta: kroson Brankoviç dhe Volkov e çon topin në rrjetën e Hidit. U duk se pësimi i golit do të ishte një goditje psikologjike për Dinamon, por nuk ka ndodhur kështu. Pas vetëm tre minutash, djemtë e trajnerit Blanko e marrin veten dhe ndërtojnë një sulm, fundi i të cilit ishte një goditje këndi i fituar. Ekzekutimi i saj konkludon me golin e barazimit 1-1, i cili ka për autor Malakarnen. Minutat në vazhdim flasin për vendasit, por gjithsesi Dinamo arrin të rezistojë dhe kërcënon të gjejë golin me anë të Martinenan. Gjithsesi pjesa e parë mbyllet 1-1. Me rifillimin e lojës moldavët shtojnë presionin dhe shënjestrojnë disa herë portën e Hidit, rezistenca e të cilit bie në minutën e 62, kur malazezi Nikoliç shënoi golin e dytë për Sherifin. Sikur të mos mjaftonte kjo, Bakaj lë “në baltë” Dinamon në minutën e 68, pasi ndëshkohet me karton të kuq për një ndërhyrje të rëndë ndaj Vranjes. Dy minuta më vonë braziliani Nadson shënoi golin e tretë dhe të sigurisë për Sherifin, që mbërrin në Tiranë me avantazhin e dy golave. Duhet theksuar pjesa e dytë u dominua thuajse totalisht nga vendasit, të cilët rrezikuan disa herë portën e Hidit, gjithsesi rezultati i ndeshjes nuk ndryshoi deri në fundin e saj. Kjo humbje 3-1 është një zhgënjim për Dinamon, e cila tashmë do të duhet të kthejë menjëherë sytë nga ndeshja e kthimit, e cila do të luhet në Tiranë pas një jave. Skuadrës së udhëhequr nga trajneri argjentinas Blanko duhet të fitojë minimalisht 2-0 në takimin e kthimit në Tiranë (21 korrik) për të shpresuar në kualifikimin e turit të tretë, çka është edhe objektivi minimal i presidentit të bluve, Besnik Sulaj.
#