E Shtunë, 31 Tetor 2026

Yjet e Olimpiakosit zbarkojnë në Tiranë

Besa-Olimpiakos Trajneri Evald Linen: Vijmë për t’u kualifikuar prej ndeshjes së parë

Olimpiakosi i Pireut, skuadra e mirënjohur greke, ka zbarkuar në Tiranë së bashku me yjet e saj, për ndeshjen në Europa League kundër Besës. Helenët janë favoritë në sfidën e vlefshme për turin e dytë eliminator, ndërsa ata nuk e fshehin ambicien për ta mbyllur praktikën e kualifikimit përballë fituesve të Kupës së Shqipërisë që prej ndeshjes që do të luhet sot në orën 20.30 në stadiumin “Qemal Stafa”. Në konferencën për shtyp të organizuar në kryeqytetin tonë, tekniku gjerman Evald Linen deklaroi se skuadra e tij vjen për të fituar, pavarësisht dy mungesave të rëndësishme si ato të Olof Melberg dhe Denis Romedahl. Gjithsesi, ai ka në dispozicion mjaft lojtarë të nivelit botëror, si portieri Nikopolidis, Janis Papadopoulos, Mareska, Raul Bravo, Ibagaza e të tjerë. “Vijmë në këtë përballje me disa mungesa, siç janë ato të Melberg dhe Romedahl, por ne nuk e diskutojmë fitoren që prej sfidës së parë me Besën”, tha trajneri. Në skuadrën nga Pireu mbretëron optimizmi, ndërsa askush tek Olimpiakosi nuk duket i trembur, pavarësisht faktit se nuk e njohin kundërshtarin nga Kavaja. Linen shtoi: “Nuk kemi frikë nga e panjohura. Besa është një skuadër, të cilën e njohim pak ose aspak, pasi kemi parë vetëm dy DVD me ndeshjet e kësaj skuadre. Gjithsesi mendoj se do të marrin rezultat që prej sfidës në fushën kundërshtare, pasi jemi përgatitur mirë dhe kam besim të plotë tek aftësitë e lojtarëve të Olimpiakosit”.

Për takimin me Besën ka folur edhe mbrojtësi spanjoll, Raul Bravo, që përpara transferimit te klubi 37 herë kampion i Greqisë në vitin 2007, ka mbrojtur ngjyrat e Realit të Madridit (skuadër në të cilën është formuar si futbollist dhe ka debutuar si profesionist). 29-vjeçari, i cili ka mbi shpinë edhe 14 ndeshje me përfaqësuesen spanjolle deklaroi: “Natyrisht që objektivi ynë është të sigurojmë kualifikimin prej ndeshjes së nesërme (sotme). Jemi përgatitur mjaft mirë. Edhe pse është e çuditshme që duhet të luajmë një ndeshje zyrtare në këtë periudhë, gjithsesi do të jemi të suksesshëm”.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›