Sotomajor, kandidatja për në Gjykatën Supreme, pranë emërimit
Kandidatja e mbështetur nga Presidenti Obama për në Gjykatën Supreme, Sonia Sotomajor, e cila që prej dy ditësh ndodhet në një seancë dëgjimore në Senat, në përfundim të së cilës do të votohet, doli dje në mbrojtje të disa thënieve të saj që janë debatuar shumë së fundmi. Kështu, Sotomajor u shpreh se nuk kishte pasur kurrë ndërmend që të thoshte se një grua hispanike do të ishte një gjykatëse më e mirë se një burrë i bardhë. Kundërshtarët e akuzojnë se ajo e ka deklaruar së fundmi një gjë të tillë, por Sotomajor ka mohuar gjithçka. Ajo është në pritje që të bëhet gruaja e parë hispanike në krye të gjykatës më të rëndësishme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ndodhet aktualisht në një seancë të ashpër pyetjesh në Komitetin e Drejtësisë së Senatit Amerikan. Ky komitet kërkon të dijë pikëpamjet e kandidates lidhur me një sërë çështjesh, duke filluar që nga ajo e abortit e deri te çështjet racore. Republikanët kanë mbledhur të gjitha deklarimet e bëra prej saj vitet e fundit dhe ia kanë vënë përballë për ta sfiduar e për t‘i dhënë mundësinë të shpjegohet. Sipas Sotomajor, ajo nuk beson se grupe të ndryshme racore, gjinore apo kombëtare, kanë epërsi të caktuara në dhënien e gjykimeve. Për pjesën më të madhe të vëzhguesve, vendi i Sotomajor në gjykatën me 9 anëtarë është thuajse i sigurt, por asaj i duhet që të përballet deri në fund me pyetjet e republikanëve, një pjesë e madhe e të cilëve nuk janë dakord me emërimin e saj në Gjykatën Supreme. Kryesisht republikanët duan që të faktojnë se ajo do të jetë një gjykatëse e cila do të mbajë anë të caktuara, por ajo deklaroi: "Gjithë veprimtaria ime tregon se në asnjë rast, dhe për asnjë arsye, nuk kam vënë arsyet personale dhe preferencat e mia në gjykimin e çështjeve që më janë ngarkuar". Sipas demokratëve që kontrollojnë Senatin, ajo ka si përvojë ligjore, ashtu edhe përvojë jetësore për të shërbyer në gjykatën e cila ndahet mes 4 liberalësh dhe 5 konservatorësh.