"Goldman Sachs" çudit Wall Street: del me fitim
Banka amerikane, "Goldman Sachs", ka raportuar dje një përfitim neto prej 3.44 miliardë dollarësh për muajin prill, maj dhe qershor, duke mundur kështu të gjitha parashikimet e analistëve. Qëndrueshmëria në tregun e aksioneve ka bërë që të rriten çmimet e aksioneve në shkallë globale. Thuhet se banka ka ndarë mënjanë miliarda dollarë për të paguar bonuset për punonjësit dhe drejtuesit e lartë. Thuhet se do të ndahen rreth 225 mijë dollarë për person. Menjëherë kanë dalë pyetjet nëse është e drejtë që të paguhen bonuse të tilla, kur banka shpëtoi nga falimentimi me paratë e taksapaguesve amerikanë. Megjithatë, bonuset nuk janë finalizuar dhe nuk do të finalizohen deri në fund të vitit dhe shifra do të reflektojë performancën e gjithë vitit dhe jo vetëm të tre muajve. Sipas analistëve, parashikimi vjetor për pagesat e 2009-ës për stafin do të jetë rreth 18 miliardë dollarë, ose 600 mijë dollarë për person. 6 muaj më parë, "Goldman" raportoi humbjet e para që nga themelimi i saj në vitin 1999, pasi u godit rëndë nga kriza ekonomike. Ndërkohë që raportimi i fitimeve ka çuditur Wall Street-in, bankë e së cilës ajo është, dhe kjo pavarësisht krizës financiare që vazhdon të shtrëngojë bankat në të gjithë botën. Sipas bankës, ajo ka përfituar nga vëllimi i madh i tregtisë së aksioneve, ndërkohë që pret rritje të të ardhurave edhe gjatë muajve në vijim. Gjithashtu ajo ka treguar kujdes në ekspozimin ndaj klientëve të rrezikshëm e problematikë, duke shmangur kështu pasoja të pakëndshme, të ngjashme me ato me të cilat u përballën bankat në fillim të krizës financiare