Humnera Premiership, 4 miliardë euro borxhe
Premiershipi anglez është një “humnerë” e vërtetë financiare. Kjo është teza e pretenduar nga e përditshmja “The Guardian”, e cila theksonte se vetëm klubet britanike mbajnë 56 për qind të borxhit të përgjithshëm të futbollit europian. Të dhënat marrin për bazë një raport të UEFA-s, të azhurnuar pas sezonit 2007-2008. Në këtë dokument është shqyrtuar situata financiare e 732 klubeve që kanë licencën e konfederatës së sportit më popullor në Kontinentin e Vjetër, ku në veçanti janë llogaritur borxhet e 18 skuadrave që militojnë në Premier League. Shifra e përgjithshme shkon në afro 4 miliardë euro, afro 4-fishi i borxheve që rëndojnë mbi klubet e La Ligas spanjolle.
Megjithatë, shifra nuk e paraqet të plotë situatën kritike në të cilën ndodhet futbolli anglez: në fakt, në sezonin 2007-2008, Uest Hemi dhe Portsmuthi nuk e morën licencën e UEFA-s. Për këtë arsye, shifrës së publikuar duhet t’i shtohet edhe borxhi i këtyre dy klubeve. Për të “zbutur” problemet e arkave të skuadrave të Premiershipit nuk mjaftojnë as përfitimet nga shitja e së drejtës televizive, prej së cilës çdo klub i elitës së futbollit britanik përfiton 122 milionë euro. Financimet nga bankat mbeten një prej metodave kryesore në menaxhimin e skuadrave. Në veçanti, të varura nga kjo mënyrë financimi janë Mançester Junajtid dhe Liverpuli, që së bashku kanë një borxh i cili arrin në mbi 1 miliard euro. Situata e “Red Devils” dhe ajo e “Reds” janë përmendur në mënyrë specifike në raportin e publikuar: operacionet financiare të pronarëve të të dyja klubeve nuk janë përkujdesur shumë për të mbështetur ekipet me investime, por më tepër janë munduar të krijojnë disa balanca në financa.
Publikimi i borxheve të Premiershipit vë në dukje sesi që prej verës së kaluar, janë vënë në punë instrumente për vëzhgimin e gjendjes financiare të klubeve europiane. Objektivi është që të respektohen parametrat për bilancet, që UEFA ka përcaktuar prej sezonit 2012-2013, kur do të hyjnë në fuqi masat e para për “fair-play financiar”. Një zëdhënës i Premier League deklaroi: “Pika kritike nuk përfaqësohet nga sasia, por nga fakti sa i përballueshëm mund të jetë një borxh për klubet”. Ndërkohë, sekretari i përgjithshëm i UEFA-s, Xhani Infantino, theksoi se afro gjysma e klubeve më të rëndësishëm në kontinent (47 për qind e tyre) kanë regjistruar humbje në bilancet e vitit 2008. “Premier League mund të mbështetet te përfitimet më të larta, por për ne si institucion, borxhet kaq të mëdha janë shqetësuese, tha ai. Skuadrat nuk mund të vazhdojnë të marrin parà borxh, për t’i shpenzuar më pas në merkaton e futbollistëve. Problemet do të paraqiten në momentin kur ato nuk do të arrijnë të sigurojnë më financime dhe kur nuk do të jenë në gjendje të paguajnë borxhet”. Sipas presidentit të UEFA-s, Mishel Platini, klubet duhet të shpenzojnë aq sa përfitojnë.
#