E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: S'njohim qeveri me vota të vjedhura

Deputeti i PS-së, Erion Brace, tha se janë zhdukur filmimet e kamerave për zgjedhjet në Berat


PS: S'njohim rezultatin, zgjedhjet u shkatërruan


TIRANË- Partia Socialiste nuk do të njohë rezultatin e zgjedhjeve të 28 qershorit, pa u bërë transparente çdo votë e hedhur në Berat, Tiranë dhe Shkodër. Deputeti i PS-së për Beratin, Erion Brace, ka deklaruar dje se selia rozë është e vendosur t'i kërkojë Kolegjit Zgjedhor që të numërojë dhe vlerësojë çdo votë të hedhur nga qytetarët e Beratit.


"Pa rezultatin dhe pa transparencën e çdo vote të hedhur nga qytetarët shqiptarë në Berat, Tiranë dhe Shkodër, nuk do të njihet rezultati i këtyre zgjedhjeve.


Po ju them se KQZ-ja po shkatërron të gjithë garantët që Kodi Zgjedhor i kishin dhënë opozitës apo minorancës, qoftë në KQZ apo në politikë, për të bërë transparente çdo votë, për të numëruar drejt çdo votë. Garantët që ishin vendosur përmes konsensusit në Kodin Zgjedhor, janë shfuqizuar dhunshëm nga KQZ-ja.


Siç kanë vërejtur edhe vëzhguesit, duke filluar nga kamerat, po ju them se për Beratin kemi insistuar shumë që të na jepeshin filmimet e 28 qershorit në darkë, 29 qershor gjatë gjithë ditës dhe 30 qershor. Po ju them se na kanë dhënë vetëm datën 1 korrik, kutinë e fundit që u numërua pas insistimit tonë. Pra, për 3 ditë filmimet o janë zhdukur, ose këta i fshehin",- tha Brace.


Duke cituar nenet 136 dhe 138 të Kodit Zgjedhor, i cili u njeh të drejtën e pakontestueshme dy anëtarëve të KQZ-së për të kërkuar numërimin e votave në ato qendra, për të cilat ka dhe një kërkesë, Brace shtoi se ky garant është detyrues për KQZ-në, pa votim dhe jo nën çmimin e kryetarit apo anëtarëve të Kryeministrit Berisha në KQZ. "Dje, garanti që dy anëtarë të KQZ-së të merrnin prova dhe që ishin një garant që e detyronte KQZ-në ta bënte këtë, e shfuqizuan me dhunë.


Dje, garantët që dy anëtarë të KQZ-së të bëjnë rinumërim dhe rivlerësim të votave të caktuara, e shfuqizuan prapë me dhunë në KQZ. Për këtë arsye, po ju them se, garantët janë shfuqizuar nga Kodi Zgjedhor nga KQZ-ja dhe për këtë shkak zgjedhjet janë të shkatërruara", - tha Brace.


Deputeti i PS-së, shtoi se selia rozë e ka fituar kauzën e saj, duke i treguar gjithë Shqipërisë dhe ndërkombëtarëve, se Kryeministri Berisha vodhi për 5 ditë mandatin e Fierit dhe po bën të njëjtën gjë prej 14 ditësh me mandatin e Beratit.


"Numrat e zgjedhjeve tregojnë qartë se, qoftë edhe një mandat i vjedhur, hedh në erë të gjithë rezultatin e zgjedhjeve, legjitimitetin e zgjedhjeve, si dhe legjitimitetin e Parlamentit. Vota e lirë dhe e ndershme është themeli i çdo institucioni, ndaj për ne vota është e shenjtë. Qeveria e bërë me vota të vjedhura është e papranueshme, transparenca për çdo votë është detyrim kushtetues.


Qeveria e bërë me vota në të zezë është detyrim vetëm i një keqbërësi historik si Arben Ristani. Ndaj, përfundimisht, duam të themi se ne jemi të vendosur të mos njohim rezultatin e këtyre zgjedhjeve pa u bërë transparente çdo votë e hedhur në Berat, Tiranë e Shkodër",- tha ai. Brace ka sqaruar se, "vullnetit kriminal të Sali Berishës, PS-ja do t'i përgjigjet me vullnetin e fortë ligjor."

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›