E Diel, 1 Nëntor 2026

Tirana, tifozët në revoltë, bllokojnë fushën stërvitore

Tifozët e Tiranës uzurpojne fushën e stërvitjes

“A punohet këtu?”, këtë slogan grupimi ia drejton klubit.

Të lodhur nga kriza, jo vetëm në fushë, por edhe në zyrë, dje ndërmorën një akt të pazakontë, teksa për 30 minuta kanë bllokuar fushën e “Skënder Halilit” në shenjë proteste.  Flasim për tifozët e Tiranës, më konkretisht grupimin “Tirona Fanatics”, të cilët dje para seancës stërvitore të ekipit, në shenjë revolte, kanë menduar që të veprojnë para syve të mediave. “A punohet këtu?”, kjo ka qenë parulla që vendosën në hekurat rrethuese të kompleksit, e më pas të heshtur kanë qëndruar në mesin e fushës për minuta të tëra, duke dhënë mesazhin e tyre për gjendjen që është duke kaluar skuadra e zemrës. Duke mos e përtypur këtë ecuri, iu drejtuan drejtuesve më të lartë dhe stafit teknik, me shpresën që reflektimi të mos vonojë. Pasi iu sabotua protesta e së dielës në “Qemal Stafa” kundër Kukësit, vendosën që të mos ndaleshin dhe të ndërmerrnin këtë akt paqësor, duke bllokuar stërvitjen e skuadrës. E gjithë kjo ngjarje bëri që seanca e orës 14:30 të niste me vonesë. Ekipi zbriti në fushë pas 20 minutash, mirëpo u detyruan që të largoheshin sërish. Tifozët i komunikuan trajnerit Alban Tafaji që të tërhiqte skuadrën, derisa ata të mbaronin këtë protestë, gjë që tekniku e pranoi, duke deklaruar se e respekton vendimin e sportdashësve. Kësisoj, pas 10 minutash, skuadra me në krye numrin një të stolit nisi punën, ndërsa grupimi dha para mediave një deklaratë, sigurisht duke iu referuar çështjes në fjalë. “Ne, ‘Tirona Fanatics’, ndërmarrim sot (dje) këtë bllokim paqësor të fushës, në vazhdim të protestës së nisur ditën e diel. Siç e kemi theksuar më parë, jemi të revoltuar për gjendjen ku ka mbërritur klubi ynë në vitet e fundit. Keqmenaxhimi, amortizimi dhe papërgjegjshmëria në drejtim e kanë katandisur klubin më elitar dhe dominues në një klub të rëndomtë. Për këtë vlen të përmendet vetëm fakti që lojtarët zgjedhin ekipe periferike përpara Tiranës. Të gjitha këto kanë sjellë paraqitje të mjerueshme në fushë dhe shpërfytyrim të identitetit dhe shpirtit që gjithmonë ka karakterizuar ekipin. Për më tepër, përpjekja për të fashitur protestën në stadium dhe moslejimi i hyrjes së tifozëve në ndeshjen me Kukësin, ishte një sjellje e ulët dhe meskine. Përgjegjës për këtë bëjmë të gjitha hallkat drejtuese, duke filluar nga bordi drejtues, administratori dhe deri te stafi teknik. Veprimet e deritanishme, mosveprimet, mosmarrëveshjet midis personave që paguhen për mbarëvajtjen e klubit janë të papranueshme në një klub profesionist. Jemi këtu për t’u kërkuar të gjithë faktorëve të klubit ndryshimin sa më të shpejtë të situatës. Në të kundërt, protesta do të vazhdojë duke iu drejtuar pronarit të ligjshëm, që është Bashkia Tiranë. Mendojmë që këtë qëndrim ndajnë me ne të gjithë tifozët e tjerë, si edhe të gjithë ata që kanë sakrifikuar dhe kontribuuar për këtë fanellë”, ishte kjo deklarata që lëshuan tifozët, që më pas u larguan nga ato ambiente. Mirëpo ata paralajmërojnë se, nëse situata do vazhdojë të mbetet e njëjta, protesta e tyre do të përshkallëzohet.

Ndeshja e fundjavës në Shkodër
Mungojnë Ahmataj dhe Dushku
Nesër bardheblutë do të përballen me Vllazninë në Shkodër, një sfidë tepër decizive për të ardhmen e dy ekipeve në kampionat. Kryeqytetasit e drejtuar nga Tafaji do të udhëtojnë të cunguar në këtë transfertë, sidomos në mbrojtje. Pezullimi i Ahmatajt nga Disiplina, si edhe dëmtimi i Dushkut kundër Kukësit, janë mungesa të sigurta. Sakaq, në dilemë është edhe Elvis Sina, i cili ka pësuar një goditje në gju, megjithatë stafi mjekësor do ta ketë në vëzhgim edhe sot, për të dhënë një përgjigje përfundimtare. Lajme të mira ka për Gilman Likën, i cili alarmoi bardheblutë, pasi u mendua se kishte nxjerrë kaviljen, mirëpo pas ekzaminimeve të kryera, rezultoi që nuk ishte kështu. Për rrjedhojë, lojtari edhe dje vijoi stërvitjen normalisht.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›