Vangjeli dhe Bakaj kthehen në Kombëtare
Elis Bakaj dhe Kristi Vangjeli janë thirrur në Kombëtaren shqiptare për ndeshjen miqësore kundër Kamerunit, më 14 nëntor në Gjenevë. Lajmin e kanë bërë të ditur mediat ukrainase, sipas të cilave pak ditë më parë kanë mbërritur edhe ftesat për dy futbollistët që aktivizohen te Çernomorets Odesa. Lojtarët nuk u grumbulluan në katër ndeshjet e para eliminatore, pasi vuanin nga dy dëmtime. Nëse për Bakajn nuk kanë bërë asnjë koment, drejtuesit e klubit të Odesës janë vënë në siklet për Kristi Vangjelin. Ky i fundit ende nuk ka luajtur ndonjë minutë me skuadrën, pasi vjen nga një dëmtim i rëndë që e mbajti jashtë fushave për një kohë të gjatë. Mbrojtësi korçar shihet si një alternativë e mirë për De Biazin në të dy krahët e prapavijës, por klubi ukrainas ka frikë se mos lojtari nuk është ende gati për të luajtur shumë minuta, ndaj dhe nuk e ka pritur mirë faktin që Vangjeli është ftuar në ekipin përfaqësues. Ndeshjen e fundit me kuqezinjtë ai e ka luajtur më 7 tetor të vitit të kaluar, ku Shqipëria humbi 3-0. Bakaj është një nga lojtarët më në formë, pasi jo vetëm që ka shënuar gola vendimtarë për Odesën, por po aktivizohet rregullisht, duke qenë protagonist absolut në ekipin e tij. Performanca në ekipin përfaqësues gjatë kohës që kuqezinjtë i drejton De Biazi nuk ka qenë fort mbresëlënëse për Bakajn, por gjithsesi trajneri italian kërkon që t’i japë një shans. Me Mehën që nuk po aktivizohet rregullisht te FSV Frankfurtin dhe me Hysën e Zeqirin që nuk e kanë bindur, pas dy sulmuesve, ish-fantazisti i Dinamos së Bukureshtit mund të ketë një shans të mirë për të treguar se është një alternativë e volitshme për repartin ofensiv të kuqezinjve. Ndërkohë duhet theksuar se me shumë gjasa për ndeshjen me Kamerunin do të lihen jashtë, edhe për arsye teknike, Erjon Bogdani e Hamdi Salihi. I pari nuk është thirrur, pasi trajneri kërkon t’u japë më shumë mundësi Sadikut dhe Çanit, ndërsa shkodrani për shkak të largësisë SHBA-Europë.