Tirana, triumf dhe hipotekim i finales së Kupës që në Vlorë
Flamurtari – Tirana 0-3
Zhgënjim në kampin vlonat. Tifozët braktisin ndeshjen dhe në kor kontestojnë trajnerin Muça, ndërsa bardheblutë festojnë sërish në Vlorë
FLAMURTARI-TIRANA 0-3 (0-1)
Shënues: Dushku 3, Cikalleshi 69, Tushe 92
FLAMURTARI: Koliqi, Sakaj, Veliu, Abraham, Arbri, Pezo, Kuqi (Telushi 49), Çela (G. Muça 79), Lena (Shtubina 85), Progni, Pejiç. Trajner: Sh. Muça.
Kartonë të verdhë: Veliu, Abraham, Çela
TIRANA: I.Lika, Sina, Kalari, Dushku, Ferraj, Taku, Karabeci (Tushe 73), G.Lika, K.Duro (Aziri 70), Morina, Cikalleshi. Trajner: H. Rubio.
Kartonë të verdhë: Ferraj
Gjyqtarë: E. Jorgji (Elbasan)
Radiografia
3- Nga zhvillimet e një goditje këndi, G. Lika pason shkurt për Duron, që kroson në zonë, aty ku Dushku është i pambuluar, që godet saktë me kokë, duke shënuar për Tiranën, 0-1.
21- Lena del përballë portierit Lika, por goditja e tij është krejtësisht për tu harruar, përfundon jashtë. Mundësi mjaft e mirë për Flamurtarin për të barazuar.
40- Goditje dënimi për Flamurtarin. Veliu harkon në zonë, Pezo godet saktë me kokë, por topi përfundon vetëm pak mbi tra.
44- Goditje këndi për vlonjatët, topi i Prognit shkon te Çela, që është i lirë në shtyllën e majtë, godet, por vetëm rrjetë e jashtme.
52- Çela harkon në zonë, Progni dhe Pejiç kërkojnë të gjuajnë, ndërhyn në fund Progni, por topi i gjuajtur prej tij shkon shumë pranë shtyllës jashtë.
68- Cikalleshi vjedh një top nga lojtarët e Flamurtarit, avancon i vetëm drejt portës, në hyrje të zonës gjuan saktë dhe sërish gol, 0-2 për Tiranën.
73- Avanacon G. Lika, pason për Azirin, ky i fundit kërkon Morinën, por në momentin e fundit largon rrezikun mbrojtja.
78- Pejiç, thuajse në hije gjatë takimit, vepron nga e djathta, pason te Progni, por goditja e tij është jashtë.
92- Tushe, i cili gjendet i lirë pranë zonës, godet saktë, duke shënuar sërish për miqtë. 3-0 për Tiranën
Në kupë do ketë tjetër muzikë. Ka qenë ky premtimi vlonjat, por për fatkeqësinë e tyre gjithçka ka qenë e njëjta muzikë, por këtë herë shumë më funebër, pasi humbja 0-3 me Tiranën në kupë do të thotë lamtumirë trofe. Tjetër aktivitet, por e njëjta fizionomi në ndeshjen Tirana-Flamurtari. Në kampionat bardheblutë fitonin falë një goli të Morinës, ndërkohë që në kupë janë po ata që shënojnë të parët e vulosin gjithçka në pjesën e dytë. Përsëri formacion emergjence për bardheblutë, të cilët nuk kanë Pishën, Ahmatajn dhe Balën, ndërkohë që kanë rikuperuar Cikalleshin. Vlonjatët përgjigjen më një formacion sulmues, ku Pejiç ka pranë Prognin.
Pjesa e parë Loja nis shumë shpejt me gol. Duke pasur erën në favor pas një goditjeje këndi, Gilman Lika vepron në mënyrë perfekte dhe nxjerr njeriun gol për Tiranën, Erion Dushkun të lirë për të shënuar. Për mbrojtësin që goditjet me kokë i ka specialitetin e tij është lojë fëmijësh që topin ta dërgojë në rrjetë. Është minuta e 4-t dhe Tirana është në avantazh 1-0.
Më pas loja kalon në rutinë, ku vlonjatët janë më shumë kërkues, por pa fantazi, Madje humbasin edhe ato raste që janë shumë të thjeshta për tu zgjidhur, ndërkohë që bardheblutë luajnë lirshëm shumë të qetë dhe pak mendojnë për të shënuar golin e sigurisë. Abraham vepron shpesh mirë nga e majta, kroset e tij janë të mira, por vlonjatët gabojnë shumë para portës. Në minutën e 20-të ka qenë Lena i gjendur në një pozicion shumë të përshtatshëm, që gjuan në mënyrë të gabuar jashtë portës së mbrojtur nga Lika.
Pjesa e dytë Nis me një tjetër frymë për Flamurtarin. Skuadra është më e vendosur dhe më kërkuese. Në minutën e 49-të është Lena që provon nga 20 metra, por në harkun e 16 metrave Karabeci ndalon të djathtën potente të vlonjatit. Minuta e 53-të sjell tjetër rast për vlonjatët. Pas një harkimi nga e majta me kokë Progni e çon topin aty ku Lika e ka të vështirë ta zotërojë, por thjesht disa centimetra mbi tra, duke mos arritur dot barazimin e shifrave.
E shifrat mund të ndryshonin në kahun invers pas 120 sekondash, ku pas një aksioni perfekt, duro nga e djthta ka gjuajtur, por jashtë. Më pas janë minuta kaotike, ku Flamurtari kërkon shumë, por pa fantazi, ndërkohë që Franc Veliu dhe Abraham ndëshkohen me kartonë të verdhë si pasojë e faulleve foshnjarake.
Në minutën e 58-të Flamurtari barazon rezultatin, por më parë arbitri Jorgji ka vërshëllyer për një faull shkaktuar nga Pejiç në dëm të Dushkut e goli është i pavlefshëm. Minutat kalojnë, Flamurtari duket se ka humbur qetësinë dhe besimin se mund të kthejë ndeshjen e Tirana ndëshkon.
Një aksion, i cili nis nga faull për vlonatët, i cili duhej përsëritur e njëkohësisht lojtari bardheblu duhej ndëshkuar më karton. Por për Jorgjin gjithçka është e rregullt. Aksioni vazhdon dhe Cikalleshi kujton ditët e tij më të mira. Nga e djathta vepron në mënyrë prefekte dhe diagonalja e tij është e pamundur të ndalet nga portieri vlonjat Koliqi. Është minuta e 69-të dhe bardheblutë kryesojnë 2-0.
Në minutën e 75-të është përsëri Cikalleshi që provon, por këtë herë topi i tij ka përfunduar jashtë. Në minutën e 83-të është Cikalleshi, i cili pas një aksioni perfekt nisur nga Kalari, vazhduar nga Aziri e përfunduar nga numri 7 i Tiranës. Por fatkeqësisht nga një distancë prej 10 metrash Cikalleshi ka gjuajtur drejt e në duart e portierit Koliqi.
Vlonjatët janë të gjunjëzuar, edhe zëvendësimet e Muçës nuk bëjnë efekt e Tirana e ka shumë të thjeshtë të administrojë lojën. Mund të shënonte më parë Tushë, pasi ka qenë Cikalleshi që ka provuar nga larg, por të dy herët topi ka përfunduar jashtë. Tifozët braktisin stadiumin e kjo sepse Flamurtari ka ngritur peshqirin e bardhë e 5 minutat shtesë dhënë nga Jorgji kanë vlejtur thjesht si statistika.
Stastika për të shënuar një gjuajtje shumë të gabuar nga ana e Abrahamit, por edhe golin e tretë bardheblu shënuar nga Tushe, i cili është ai i nokautit për skuadrën vlonjate.
Statistikat e sfidës së kupë
- Flamurtari dhe Tirana janë përballur vetëm një herë mes tyre në turin gjysmëfinal të kupës. Bëhet fjalë për sezonin 1981-1982, kur bardheblutë kanë fituar në të dyja sfidat, 2-0 në Tiranë dhe 2-1 në Vlorë.
- Për herë të fundit në Kupën e Shqipërisë, bardheblutë dhe kuqezinjtë janë përballur në finalen e vitit 2009, të luajtur në Durrës. Flamurtari fitoi 2-1 dhe u shpall fitues i kupës.
- Tirana e ka fituar Kupën e Shqipërisë 14 herë, ndërsa Flamurtari 3 herë. Bardheblutë janë fitues në fuqi të këtij kompeticioni, teksa në edicionin e fundit mposhtën në finale Dinamon, në një sfidë që u zgjidh me penallti.
- Tirana ka qenë skuadra që ka prishur rekordin e vlonjatëve. Flamurtari nuk pësonte humbje në kampionat prej dy vitesh e gjysmë: që prej 30 nëntorit 2009, por u mund po nga Tirana 0-1 në sfidën e fundit para dy javësh.
Të veçanta:
- Në minutën e tretë është goditje këndi për Tiranën. Era nuk e lë Gilman Likën ta ekzekutojë. Shkodrani kërkon zëvendësimin e topit. Ashtu ndodh dhe nga këmbët e tij vjen edhe krosi i golit shënuar nga Dushku.
- Për herë të dytë në këtë sezon, Tirana shënon tre gola jashtë fushës. Më parë kishte shënuar në Krujë, ku fitoren ia ka dhënë në sekondat e fundit Dushku. Sërish shënon Dushku, por këtë herë bardheblutë nuk pësojnë, duke realizuar fitoren më të thellë këtë sezon.
