Tirana vazhdon të jetë e qete ne 2 janar

Kryeqyteti vazhdon që të jetë i zbrazur pas festave të fundvitit. Rrugët dhe sheshet e kryeqytetit edhe në datën 2 janar vazhdojnë që të jenë të qeta e me shumë pak lëvizje. Edhe ata pak qytetarë të cilët shihen nëpër rrugët e Tiranës kanë dalë për të vizituar të afërmit me rastin e festave. Ajo që të bie më tepër në sy është edhe mungesa e trafikut. Nëpër rrugë mund të shohësh shumë pak lëvizje automjetesh.
Ndërkohë që vetëm dy ditë më parë trafiku në kryeqytet ishte tejet i rënduar. Kjo qetësi shpjegohet edhe me faktin se është ditë e dielë dhe shumë qytetarë e kanë pushim e natyrisht që lodhja e festave ka bërë që të shfrytëzohet për të pushuar.Vazhdojnë ndërkohë që të mbeten të mbyllura qepenat e dyqaneve të ndryshme apo të bizneseve të tjera. Ata që duket se janë rikthyer në punë janë më tepër lokalet. Megjithatë pritet që dita e nesërme të sjellë një tjetër atmosferë. Duke qenë se është ditë e hënë shumë institucione rinisin punën dhe si rezultat rikthehet edhe trafiku i rënduar.