Tirana, vetëm 0-0 me Elbasanin
Elbasani konfirmohet si "macja e zezë" e Tiranës në këtë edicion. Në harkun e katër ditëve, skuadra e drejtuar nga Faruk Sejdini u ka marrë një tjetër barazim 0-0 bardhebluve, pas atij në javën e 21-të të Kategorisë Superiore. Edhe pse arena ndryshoi, ku takimi i parë i vlefshëm për çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë u zhvillua në "Qemal Stafa" (ndërsa në fundjavë ishte luajtur në "Selman Stërmasi"), skenari mbeti i njëjtë: lojë shumë taktike dhe Tirana pranë golit të fitores, por ishte sërish shtylla ajo që shpëtoi verdheblutë. Agustin Kola konfirmoi se Kupa mbetet një prej objektivave të kryeqytetasve në këtë sezon, duke hedhur në fushë nga minuta e parë dyshen sulmuese Memelli-Xhafa, të ndihmuar nga kapiteni Devi Muka. Kur kronometri shënonte 10 minuta lojë, Xhafa ishte fare pranë golit, por shtylla u erdhi në ndihmë miqve, duke mos lejuar ndryshimin e rezultatit. Gjithsesi, ky mbeti një rast sporadik, sepse me gjithë forcën e madhe ofensive, Tirana nuk ka mundur të bëjë asgjë përballë "murit" të ndërtuar nga Sejdini. Për të zhbllokuar avantazhin ka tentuar edhe Ansi Agolli, por lojtari i Kombëtares nuk ka kalibruar si duhet të majtën e tij. I veçantë në këtë sfidë ka qenë fakti se drejtuesi i stolit bardheblu nuk ka kryer asnjë zëvendësim, duke shpresuar më kot se titullarët do të shënonin të paktën një gol. Në kampin tjetër, momenti më i mirë ka ardhur pas një akrobacie të Fjodor Xhafajt, i cili ishte i pafat. Takimi, në të cilin nuk mungoi tensioni si në fushë, ashtu edhe në tribuna, u mbyll me gjashtë kartonë të verdhë. Ndërkohë që tifozeritë kundërshtare, siç ka ndodhur shpesh në këto sezonet e fundit, nuk i kanë kursyer tonet e ashpra dhe ofendimet.
Në fund të takimit, trajneri Kola është larguar i zhgënjyer, duke mos dhënë asnjë koment për këtë rezultat, që lë gjithçka të hapur për takimin e kthimit më 11 mars në "Ruzhdi Bizhuta". Ndërsa Sejdini mund t‘i gëzohet faktorit fushë dhe motivimit që të besuarit e tij do të marrin nga tifozeria verdheblu. "Ky rezultat bën që gjithçka të jetë e hapur për sa i takon kualifikimit në gjysmëfinale", deklaroi "Xhaxhi". "Më e mira do të ishte po të kishim arritur të shënonim në këtë takim, pasi në Kupë, goli në fushën kundërshtare merr vlerë të dyfishtë. Gjithsesi, jemi të gëzuar nga baraspesha, edhe sepse kualifikimi vendoset në fushën tonë".