Tiranë, Bashkia vijon gjelbërimin e blloqeve të banimit
Kryetari i Bashkisë së Tiranës Edi Rama ka inspektuar punimet për gjelbërimin brenda bllokut të banimit 79, pjesë e Njësisë Bashkiake nr.5 ku kufizohen rrugët "Irfan Tomini", Unaza e Re, rruga e "Kavajës", Bulevardi "Bajram Curri".
Në fjalën e tij, Kreu i Bashkisë së Tiranës Edi Rama u shpreh se i gjithë kompleksi i bazës ligjore të bashkëpronësisë për ta implementuar dhe për të cilin bashkia po punon intensivisht, është pazgjidhshmërisht i lidhur edhe me domosdoshmërinë që kësaj bashkëpronësie në godinat e banimit, t`i japë edhe përmasën e duhur të bashkëjetesës në hapësirat publike të blloqeve të banimit.
“Në të gjithë blloqet e rindërtuara dhe në ato që po rindërtojmë, ne po vazhdojmë të rrisim e intensifikojmë përmasën e gjelbër, duke vijuar me mbjellje pemësh kudo ku ka nevojë e njëkohësisht do të vazhdojmë të rrisim hapësirat e rikualifikuara në dispozicion të më të moshuarve dhe më të vegjëlve në radhë të parë, në mënyrë që këto hapësira publike të cilat tashmë janë të transformuara, nga hapësira tërësisht të pabanueshme në hapësira të pëlqyeshme, të mund të bëhen edhe mjedise që i japin një cilësi krejt të re kohës së lirë" theksoi Rama.
Në këtë bllok banimi me sipërfaqe prej 30 hektarësh, të trajtuar me të gjithë elementët e infrastrukturës është parashikuar shtimi i sipërfaqeve të gjelbëra me 400 pemë të llojit bli, ndërkohë që kjo ndërhyrje do të vijojë edhe në blloqe të tjera banimi, duke rritur kështu cilësinë e jetës për banorët.