E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tiranë- Elbasan, miratohet kredia 25 mln dollarëshe

TIRANE- Fondi Saudit për Zhvillimin miraton kredinë prej 25 milionë dollarë për zbatimin e projektit të rrugës Tiranë – Elbasan.

Lajmi është konfirmuar nga ambasadori i Arabisë Saudit në Tiranë z. Abdullah Abdulaziz AL-ABDULKARIM, gjatë një takimi që pati me Ministrin e Financave z, Ridvan Bode.
Zyra e shtypit pranë kësaj ministrie njofton se "Kredia ka një normë interesi 2 % dhe afat maturimi 25 vjet, nga të cilët 5 vitet e para janë pa pagesë."

Ministri Bode falenderoi Ambasadorin për miratimin e kredisë, e cila- sipas tij “është me terma shumë të favorshëm financiarë”.

Rruga Tiranë- Elbasan konsiderohet si një nga prioritetet e qeverisë sa i përket investimeve në infrastrukturë. Sipas qeverisë, rruga do të nxisë dhe zhvillojë së tepërmi jo vetëm kryeqendrën e Shqipërisë së Mesme, por të gjithë rajonin e Shqipërisë juglindore. Ky projekt është parashikuar të realizohet në një periudhë 18-24 mujore dhe do ta kthejë distancën midis Tiranës dhe Elbasanit në vetëm 15 minuta kohë.
Kryeministri Berisha deklaroi pak kohë më parë se kostoja e kësaj rruge është 407 milionë dollarë, dhe parashikon të përfundojë para zgjedhjeve parlamentare të 2013.

Disa nga parametrat kryesorë të rrugës së projektuar janë: Shpejtësia 100-120 km/h; gjerësia e një vije kalimi 3.75 m; gjatësia e rrugës në mbushje 18.5 km; gjatësia e rrugës në gërmim 17.4 km; gjatësia totale e viadukteve 4.65 km; gjatësia totale e tunelit për të dy tubat 4.3 km; numri i mbikalimeve 7; numri i nënkalimeve 4; numri i viadukteve 21 dhe numri i kryqëzimeve në disnivel 3.
(s.g/balkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›