Vendimi, qeveria 1 milionë $ për mitingun e 8 dhjetorit
Zbardhet vendimi i qeverisë për financimin e festimeve që u kryen me rastin e Ditës Kombëtare të Rinisë
Opozita pretendon se kjo faturë shkon plot 4 milionë euro, duke përfshirë në të pagat dhe punën e pakryer nga administrata
Zbardhet fatura e mitingut të organizuar nga Qeveria dhe Partia Demokratike në sheshin "Skënderbej" me rastin e 8 dhjetorit, Ditës Kombëtare të Rinisë. Në një kohë që vendi vuante mungesën e parave, si pasojë e krizës ekonomike, qeveria shqiptare ka marrë vendimin për të shpenzuar plotë 1 milionë dollarë për festimet me rastin e Ditës Kombëtare të Rinisë më 8 dhjetor.
Kaq është fatura zyrtare që i ka kushtuar buxhetit të shqiptarëve të gjitha organizimet e kryera nga shumica qeverisëse me rastin e kësaj dite, ku përfshihen si vlefta për spotet publicitare, banderolat dhe reklamat nëpër rrugë, organizimi dhe transporti i njerëzve për të ardhur nga rrethet në Tiranë, ashtu edhe për të paguar këngëtarët si dhe kompaninë që u morr me ngritjen e tribunës në shesh.
Një shumë e tillë bëhet e ditur nga një Vendim i Këshillit të Ministrave, i cili i është fshehur publikut dhe nëpërmjet të cilit për aktivitetet e kësaj dite është miratuar dhe shtesa e posaçme në buxhetin e shtetit.
Vendimi
Në mbledhjen e datës 13 nëntor 2009, Këshilli i Ministrave, ndërmjet të tjerave, ka marrë edhe një vendim posaçërisht për festimin e Ditës Kombëtare të Rinisë, e cila njihet edhe si dita e nisjes së lëvizjes studentore që do të rrëzonte më pas dhe regjimin komunist në Shqipëri.
Pikërisht për kujtimin e kësaj dite qeveria ka akorduar një fond të konsiderueshëm prej 890 milionë lekësh të vjetra, ose afërsisht 1 milionë dollarësh amerikanë.
Vendimi që mban numrin 1191 bënë një shtesë fondi në buxhetin e vitit 2009, miratuar përkatësisht për ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe Ministrisë së Integrimit.
Kështu, vendimi i mësipërm është organizuar në dy pika të veçanta të cilat përmbajnë dhe dy zëra fondesh të ndryshme, ku njëri i jepet për administrim Ministrisë së Kulturës për organizimin e mitingut dhe njëri Ministrisë së Integrimit për prodhimin dhe shfaqjen e spoteve publicitare.
Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, i janë dhënë 35 milionë lekë të reja në zërin "Projekte kulturore", duke nënkuptuar pikërisht organizimin e koncertit festiv në sheshi qendror të Tiranës.
Ndërsa ministrisë së Integrimit i është akorduar një fond edhe më i madh prej 54 milionë lekësh të reja, në zërin "shpenzime operative", për realizimin, prodhimin dhe transmetimin e spotit publicitar dhe dokumentar, e të tjera materiale reklamuese. "Me propozim të ministrit të Shtetit për Reformat dhe Marrëdhëniet me Kuvendin, Këshilli i Ministrave vendosi: 1.
Në buxhetin e miratuar për vitin 2009 të shtohen fondet si më poshtë vijon: a) Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, 35 000 000 (tridhjetë e pesë milionë) lekë në zërin "Projekte kulturore" në kuadër të 8 dhjetorit, Ditës Kombëtare të Rinisë;
b) Ministrisë së Integrimit, 54 175 350 (pesëdhjetë e katër milionë e njëqind e shtatëdhjetë e pesë mijë e treqind e pesëdhjetë) lekë, në zërin "shpenzime operative", për realizimin, prodhimin dhe transmetimin e spotit publicitar dhe dokumentar, e të tjera në kuadër të 8 dhjetorit, Ditës Kombëtare të Rinisë", - thuhet në këtë vendim, ndërsa është parashikuar që ky fond të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit.
Gjithashtu, në vendim ngarkohet ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, ministria e Integrimit dhe ministria e Financave për zbatimin e tij
Opozita
Por, duket se fatura për festimet e zhvilluara nga qeveria dhe Partia Demokratike me rastin e ditës së lëvizjes së Dhjetorit, i ka kushtuar xhepave të shqiptarëve akoma më shumë.
Kjo të paktën sipas Partisë Socialiste e cila pretendon se kjo shumë arrin në plot 4 milionë euro, një shifër kjo e nxjerrë, pasi janë llogaritur të gjitha shpenzimet e kryera në funksion të kësaj feste, që zgjati vetëm dy orë, duke mos përfshirë jo vetëm paratë e hedhura për publicitetin, banderolat, transporti i pjesëmarrësve dhe organizimi, por edhe paratë e humbura nga pagimi i administratës, e cila nuk punoj atë ditë për të ardhur në Tiranë, si dhe nga vlefta e punës së pakryer prej saj.
Dy deputetët socialistë, Saimir Tahiri dhe Blendi Klosi, në dy konferenca të ndryshme për mediat nga selia rozë të mbajtura një ditë pas zhvillimit të këtij mitingu, përveçse deklaruan shkeljet ligjore të qeverisë të konstatuara gjatë kësaj dite, sollën në vëmendje edhe koston totale të këtij manifestimi.
Duke detajuar këtë shumë të konsiderueshme parash, deputeti socialist, Saimir Tahiri bëri të ditur se gjysma e saj, pra 2 milionë euro janë harxhuar si shpenzime për koncertin dhe gjysma tjetër për pagimin e administratës edhe pse nuk punoi për shkak të se duhet të dilte për të "festuar" në sheshin "Skënderbej", por edhe për shërbimet publike të munguara.
"Qeveria ka paguar për: Postera, printime, transport me autobusë dhe reklama në median e shkruar dhe vizive, afërsisht 1.7 milionë Euro. Koncertin dhe fishekzjarrë, afërsisht 228.000 Euro.
Përveç kësaj kostoje që është kosto e drejtpërdrejtë për organizimin e mitingut, janë edhe 2 mln euro të tjera, kosto e shkaktuar nga mungesa e punës dhe ofrimit të shërbimeve dje nga administrata publike, rrogat e paguara për një ditë punë të munguar dhe shërbime të pa ofruara", - tha Tahiri gjatë asaj konference.