Bien të ardhurat në buxhet, qeveria rrit investimet elektorale
Bien të ardhurat në buxhetin e shtetit. Deri në fund të muajit prill administrata tatimore ka arkëtuar më pak para se parashikimi i kryer në fillim të vitit. E kundërta ka ndodhur me shpenzimet, gjatë kësaj periudhe ato kanë qenë më të larta se parashikimet. Gjatë këtyre muajve qeveria është duke shpenzuar goxha para për investime publike, por pjesa më e madhe e parave është destinuar për rrugën Durrës-Kukës. Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave deri në fund të muajit prill 2009, të ardhurat buxhetore gjithsej arritën në 97.6 miliardë lekë ose rreth 3.9% më pak se parashikimi dhe 11.2% më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Të ardhurat tatimore po në fund tëkëtij muaji arritën në 88.7 miliardë lekë ose 4.8% më pak se parashikimi; krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar ato janë rreth 7.4% më të larta. Për sa i përket shpenzimeve të përgjithshme të buxhetit në fund të muajit prill 2009 arritën në 107.4 miliardë lekë ose 1.9% më shumë se parashikimi; krahasuar me periudhën janar—prill 2008 shpenzimet rezultuan 36.9% më të larta. Shpenzimet korrente rezultuan me 6.4% më pak se parashikimi dhe 19.1% më shumë se viti i kaluar, ndërsa shpenzimet kapitale rezultuan 18.3% më shumë se parashikimi. Sipas të dhënave nga financat indeksi i çmimeve të konsumit në muajin prill arriti në 103.9 për qind kundrejt muajit dhjetor 2007 duke shënuar një rënie prej 0.1% në krahasim me muajin paraardhës, ndërsa norma vjetore e inflacionit për këtë muaj ishte 1.9 për qind. Gjate muajit prill çmimi i naftës u rrit me 3.0% dhe ai i benzinës me 1.7%. Rritja më e madhe, prej 0.5 %, u konstatua në grupin “Transporti”; Ulja më e madhe, prej 0.2 %, u konstatua me grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike”.
Të ardhurat dhe shpenzimet
97.6 miliardë lekë - të ardhurat buxhetore
3.9 për qind - se parashikimi
88.7 miliardë lekë - të ardhurat tatimore
4.8 për qind - më pak se parashikimi
107.4 miliardë lekë- shpenzimet totale të buxhetit
1.9 për qind - më shumë se parashikimi
18.3 për qind - më shumë shpenzimet kapitale