E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tiranë, Berisha sulmon ODIHR:U bë megafon i opozitës

TIRANE-  Në takimin e zhvilluar me përfaqësuesit e medias, me rastin e mbylljes së vitit 2010, kryeministri, Sali Berisha ka sqaruar dje për herë të parë publikisht edhe arsyet pse e refuzoi takimin e prezantimit me kryesuesen e misionit të vëzhguesve të ODIHR-it për zgjedhjet e 28 qershorit 2009, Andrey Glover. “Refuzova të pranoj Glover si shefe të misionit për shkak së ajo drejtone ODHIR edhe në periudhën kur në Shqipëri u zhvilluan zgjedhjet e 26 majit 1996. Në ato kohë ODIHR vlerësoi se në zgjedhje ishin shkelur 32 nga 79 nene të Kodit Zgjedhor. Por ajo që nuk thuhej në raportin prej 14 faqesh ishte pikërisht bojkoti i opozitës. Në asnjë rresht të këtij raporti nuk përmendej fakti se Partia Socialiste dhe aleatët e saj tërhoqën komisionerët nga procesi i votimit dy orë para mbylljes së kutive. E thirra Glover dhe i thashë që nuk ishte treguar korrekte dhe se nuk do ta pranoja më si vëzhguese në Shqipëri. Ajo erdhi sërish në zgjedhjet e 2009 dhe për fat të keq mbajti të njëjtin qëndrim duke u bërë megafone e opozitës dhe këtë nuk mund ta pranoja”, deklaroi Berisha.
Hetimi i zgjedhjeve
Kryeministri përsëriti dje qëndrimin e tij se mazhoranca është e gatshme të bashkëpunojë me opozitën për hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit. Por ai shtoi se nuk mund të pranonte në asnjë rast propozimin e socialistëve që ky hetim të kryhej në shkelje të ligjeve, vendimeve të Gjykatave dhe Kushtetutës së vendit. Dhe për më tepër siç tha ai pa patur fakte, grup-faktesh apo provash. “Mazhoranca është e hapur dhe ka qenë gjithmonë e hapur të bashkëpunojë me opozitën. Opozitës i janë ofruar të gjitha shanset, të gjitha mundësitë për kompromis por javët e fundit ajo kaloi haptas në botën e Franc Kafkës. Me qindra herë më ka ardh këto ditë në mendje Jozef.K që u arrestua pa asnjë provë, pa asnjë fakt dhe nisi një proces i tërë.
Njëlloj me Jozef.K, ky zotëri (Edi Rama) kërkon të trajtojë qytetarët shqiptarë por këtë s’mund ta bëjë kurrë. Nuk ka asgjë më anakronike se të kërkosh hetim pa fakte. Askush nuk mund të hetohet pa fakte dhe ky është rregulli që bazohet në parimin themelor të të drejtave, prezumimin e pafajësisë”, tha Berisha duke iu referuar kërkesës së opozitës për ngritjen e komisionit hetimor për zgjedhjet e kaluar
Liberalizimi i vizave
Kreu i qeverisë në fjalën e tij e vuri theksin edhe në shembjen e murit të vizave për shqiptarët, duke e konsideruar atë si arritjen e dytë më të madhe për shqiptarët në rrafshin e lirive dhe të drejtave njerëzore. Por ndërsa renditi arsyet që sipas tij çuan në heqjen e vizave, Berisha shigjetoi sërish opozitën duke e akuzuar për përpjekje të vazhdueshme për bllokimin e procesit të liberalizimit të vizave. “Për herë të parë në histori shqiptarët do të lëvizin në Europë si zonja dhe zotërinj, kjo është arritja më e madhe e kësaj qeverisje, arritja më e merituar.
Por në këtë vend, si në asnjë vend tjetër në kontinent, opozita u angazhua për të bllokuar, për të shkelmuar një interes që ishte jetik për liritë dhe dinjitetin e qytetarëve shqiptarë. E gjithë beteja absurde e opozitës kishte vetëm një qëllim, të bllokoheshin vizat”, theksoi kryeministri.
(GSH/BalkanWeb) Lidhje te tjera VIDEO: Tiranë, Berisha sulmon ODIHR: U bë megafon i opozitës

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›