E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: Të veprohet në kohë për reformën zgjedhore

Për këtë arsye, kreu i shtetit ka kërkuar që në vitin që vjen duhet orientuar në korrigjimin e disa momenteve të cilat nuk kanë qenë të këndshme për shqiptarët.

“Në radhë të parë, mendja të shkon menjëherë tek dialogu politik, që edhe në fund të këtij viti është i mbarsur me dyshime. Uroj që ky dialog të çojë patjetër në një bashkëpunim, sepse vetëm nëpërmjet bashkëpunimit vijnë zgjidhje të rëndësishme, nëpërmjet ndërtimit të një legjislacioni modern, nëpërmjet miratimit të ligjeve që janë të domosdoshme, të dyja palët, maxhorancën e opozitën, për t’u paraprirë shumë evenimenteve të tjera shumë të rëndësishme, që kanë të bëjnë me integrimin evropian për Shqipërinë dhe shqiptarët!”, ka theksuar Topi për Zërin e Amerikës.

Një temë tjetër e cekur ishte zhvillimi i zgjedhjeve lokale të 8 majit, ku kreu i shtetit ka nënvizuar se palët duhet të dialogojnë për të bërë në kohë ndryshimet e kodit zgjedhor, apo ndonjë vendimi që lidhet me zgjedhjet.

“Tani, së fundmi, kemi pasur një moment që, elementët që kanë të bëjnë me ligjin elektoral janë diskutuar në kohë. Uroj që, nëse do të ndryshojë, të ndryshojë në kohë. Dhe unë besoj që klima politike që u paraprin zgjedhjeve administrative vërtet po merr nota të forta politike. Është e pashmangshme që edhe zgjedhjet e pushtetit vendor të mos kenë nota politike, sepse diskutuam vizione politike për menaxhimin e pushtetit vendor, për administrimin e një pushteti që është më afër qytetarit, por edhe në një kohë kur, sipas Kartës së Autonomisë Lokale, pushteti vendor duhet të marrë më shumë përgjegjësi mbi supe, për t’i shërbyer në radhë të parë atij që është elementi thelbësor i kësaj marrëdhënieje midis pushtetit qendror, pushtetit vendor dhe qytetarit. Besoj që pushteti vendor është më afër qytetarit”, u shpreh ai më tej.

Për sa i përket luftës ndaj korrupsionit, presidenti Topi ka theksuar se akuzat publike duhet të depozitohen në organet e drejtësisë. Në këtë kontekst, presidenti tha se të gjithë ata që akuzohen duhet të lënë imunitetin e tyre. “Duhet që të gjithë politikanët të dorëzojnë imunitetin e tyre, gjë që s’e kanë bërë. Ka pasur gjithmonë deklarime, por praktikisht asgjë konkrete. Unë edhe njëherë shoh të arsyeshme që, në një vend të vogël sikurse është Shqipëria, ku praktikisht të gjithë e njohim shumë mirë njëri-tjetrin, duhet patjetër që të jemi të hapur dhe më shumë të jemi konkretë kur themi që duhet të dorëzojmë imunitetin. Imuniteti i dorëzuar nuk është lënie pa mburojë e një institucioni apo politikani, përkundrazi është vendosja  në një pozicion të njëjtë me atë të qytetarit të thjeshtë që të ka dhënë votën”, tha Topi. /S.Ll/Start/

                                                                                             2010-12-29 09:29
  [ 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›