Besart Berisha: Do shënoj në sy të Kuzhesë
Besart Berisha me Arminia Bielefeldin do të luaj sot kundër Augsburgut të Edmond Kapllanit, ndërsa në tribuna do të jetë një tifoz i veçantë për dyshen sulmuese të Kombëtares së Shqipërisë, Josip Kuzhe. As kosovari Berisha, e as Kapllani nuk ishin të ftuar për miqësoren e 12 gushtit ndaj Qipros, të fituar 6:1 nga Shqipëria. Berisha ndihet i nderuar me ardhjen e Kuzhes në Gjermani, për ta parë nga afër, ndërsa shpreson se do ta shpërblej me një gol. “Të gjithë në klub e dinë se do të vjen Kuzhe, prandaj besoj se të paktën në pjesën e dytë do të paraqitem. Unë jam i lindur për të shënuar, andaj edhe nëse do të luaj 5 apo 10 minuta, unë do të jap maksimumin për të shënuar një gol, që do t’ia kushtoja pikërisht Kuzhes”, - deklaroi Berisha. Ai pohon se ka pasur edhe një bisedë telefonike me trajneri e “kuqezinjve” e cila pas ndeshjes do të pasohet sy më sy. “Kemi biseduar edhe në telefon, dhe tani jam i lumtur që do të më ndjek nga afër. Pas ndeshjes do të drekojmë së bashku, e që shpresoj se ky takim do të jetë pozitivë për mua, pari dua të jem pjesë e Kombëtares. Sidoqoftë unë ndihem krenar që trajneri ka respekt për mua dhe vjen të më të takojë”, - shtoi sulmuesi i Kombëtares.