E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tiranë-Elbasan, përfundon tuneli i Kërrabës

Kryeministri Berisha ka marrë pjesë sot, në ceremoninë e inaugurimin të hapjes përfundimtare dhe bashkimit të dy anëve të tunelit të Kërrabës, një segment i rëndësishëm i autostradës Tiranë-Elbasan, e cilësuar pas rrugës së kombit, si vepra e dytë më e madhe publike në vend.
 

Së bashku, në një atmosferë festive, kryeministri Berisha, Ministri Olldashi, deputetë, drejtues të pushtetit lokal, përfaqësues të kompanisë AKTOR.SA si dhe qindra qytetarë elbasanas dhe banorë të zonave përreth kanë asistuar në shfaqjen e dritës në anën tjetër të tunelit, 6 muaj para afatit të parashikuar dhe nisjen e një faze të re ndërtimi, në vazhdimin e autostradës Tiranë-Elbasan.
 

Kryeministri Berisha, i shoqëruar nga drejtues dhe nga punonjës të kompanisë ndërtuese AKTOR. SA, ministri Olldashi, deputetë dhe drejtues të pushtetit lokal, ka përshkuar distancën brenda në tunel dhe duke drejtuar eskavatorin, në mënyrë simbolike ka shembur barrierën e fundit midis dy anëve të tunelit, që simbolizon edhe hapjen përfundimtare të tij.
 

Rruga Tiranë-Elbasan, e cilësuar si segmenti më nevralgjik, i Korridorit 8, ka si pjesën më të rëndësishme të saj, Tunelin e Kërrabës, punimet për të cilin shënuan vlerën e 101 milion dollarëve, investim i buxhetit të shtetit dhe Bankës Islamike për Zhvillim.
 

Tuneli me gjatësi 2,4 kilometra, ka dy tuba me nga dy korsi secila, me gjerësi 8 metra dhe lartësi 5 metra për secilin tunel. Punimet cilësore, të realizuara sipas parametrave më bashkohore, e rendisin këtë vepër me dinjitet përkrah infrastrukturave më moderne evropiane.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›