E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tiranë, Kulla e Sahatit, gati restaurimi

Projekti i rehabilitimit të sheshit "Skënderbej" synon rivitalizimin jo vetëm të sheshit por edhe restaurimin e dy prej simboleve historike të Tiranës, që janë të lidhura me këtë shesh: Xhamia E'them Bej, Kulla e Sahatit,e ndërtesa e Sahatçiut. 

TIRANE- Projekti i rehabilitimit të sheshit "Skënderbej" synon rivitalizimin jo vetëm të sheshit dhe të perimetrit përreth tij, por edhe restaurimin e dy prej simboleve historike të Tiranës, që janë të lidhura me këtë shesh: Xhamia E'them Bej dhe Kulla e Sahatit, plus ndërtesa e Sahatçiut. Projekti për restaurimin e monumenteve historike po zhvillohet në bashkëpunim të ngushtë me Institutin e Monumenteve dhe Studion 51N4E. Xhamia E'them Bej, për shkak se i është nënshtruar edhe disa restaurimeve të mëparshme, do të trajtohet vetëm në pjesën e kupolës me një mbulim me fletë të reja metalike/alumin. Do të bëhet trajtimi konsolidues i pikturave të jashtme nën strehë dhe do të vendoset tabela e historikut të Xhamisë. Kulla e Sahatit do të kalojë nëpër një proces restaurimi më të thellë, i cili do të shoqërohet edhe me vendosjen e mekanizmit të orëmatësit dhe fushave të orës; vendosjen e tabelës informuese për monumentin, si edhe vendosjen e pllakës mbishkrimore në ballin e kullës së Sahatit. Ora ekzistuese që është në kullën e Sahatit është prodhim kinez i viteve 70. Restaurimi i kullës së Sahatit do të shoqërohet edhe me restaurimin e godinës së Sahatçiut, e cila synohet të trajtohet si një muze i vogël i orëve monumentale në Shqipëri. Kulla e Sahatit të Tiranës nuk është restauruar asnjëherë që nga koha që ajo është ndërtuar. Madje prej shumë vitesh edhe orët që ndodhen në katër faqet e saj nuk funksionojnë. Investimet për këtë projekt, rindërtimi i sheshit "Skënderbej" si dhe restaurimi i kullës së Sahatit dhe Xhamisë E'them Bej, kapin vlerën prej 10 milionë eurosh, ku 5 milionë euro janë dhuratë e qeverisë kuvajtiane.

(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›