Berisha shkon me avion në Kosovë
Kryeministri Sali Berisha zhvilloi dje vizitën e parë në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë. Zgjedhjet e qershorit, por edhe axhenda e ngjeshur e kreut të qeverisë shqiptare, shtynë vizitën e planifikuar më parë në Prishtinë. Kryeministri Berisha, bashkë me delegacionin e tij ku merrte pjesë edhe ministri Lulzim Basha dhe deputetë të PD-së, shmangën udhëtimin nga rruga Durrës-Kukës që lidh Tiranën me Kosovën dhe mbërritën mëngjesin e djeshëm me avion në aeroportin e Prishtinës, saktësisht në orën 08:50. Takimin e parë Kryeministri Berisha e zhvilloi me homologun e tij Hashim Thaçi dhe në aeroport u prit nga garda e nderit. Gjatë orëve të paradites, Kryeministri Berisha u takua edhe me Presidentin Fatmir Sejdiu, ku mori dekoratën e "Medaljes së Artë të Lirisë". Kryeministri mbajti gjithashtu edhe një fjalim në Parlamentin e Kosovës, ndërsa zhvilloi edhe homazhe te varri i ish-presidentit Ibrahim Rrugova. Sipas asaj çka u vu re, rrugët e Prishtinës i rezervuan Kryeministrit Berisha atmosferën e ngrohtë me të cilën u prit Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhorxh Bush, në Tiranë. Rrugët e Prishtinës ishin të mbushura me fotografitë e Kryeministrit Berisha, flamurin shqiptar dhe parullën e urimit "Mirë se vjen Sali Berisha". Kryeministri u takua gjithashtu edhe me kryetarin e Parlamentit, Jakup Krasniqi, dhe gjatë pasdites së djeshme u nderua me çmimin "Honoris Kauza" në Universitetin e Prishtinës. Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, premtoi dje se shumë shpejt do të përfundojë edhe gjysma tjetër e rrugës që lidh Kosovën me Shqipërinë. I pyetur se si e shikon rrugën drejt Bashkimit Europian të Shqipërisë dhe Kosovës si një shtet apo dy shtete, Kryeministri Berisha u përgjigj se "Kombi është një dhe i pandarë në shpirtin dhe identitetin e tij. Nuk mund të bëhet fjalë për dy kombe shqiptare, dy kombe serbe apo dy kombe kroate". Sot, tha Berisha, ideali kombëtar i shqiptarëve është ideali europian, sepse ne aty kemi përcaktuar të ardhmen tonë më të shkëlqyer. Presidenti i Kosovës dhe Kryeministri i Shqipërisë gjatë takimit kanë komentuar edhe zgjedhjet lokale të 15 nëntorit në Kosovë, duke ftuar serbët që jetojnë në Kosovë të marrin pjesë në zgjedhje. Sipas Kryeministrit Berisha, qëndrimet janë komplekse dhe diktohen nga shumë faktorë. "Është në interes të pakicës serbe që të zgjedhë përfaqësuesit e vet vendorë, duke vendosur standarde të reja. Shpresoj që kjo çështje të mos bëhet problem ndërpartiak politik në Beograd", theksoi Berisha. Nga ana e tij, Presidenti Sejdiu vlerësoi se Kosova ka ofruar shanse të barabarta për të gjithë komunitetet, ndërsa u kërkoi edhe njëherë sot qytetarëve serbë që të dalin në zgjedhje. "Është irracional qëndrimi i Beogradit, i cili bën thirrje për t‘i penguar këta njerëz që të japin votën e tyre", theksoi Sejdiu.