E Diel, 1 Nëntor 2026

Pushteti i pushtetit të katërt

Më 15 shkurt 1898, kryqëzori i Shteteve të Bashkuara "Maine", hidhej në erë në Portin e Havanës në Kubë. Pa pritur përfundimet e hetuesve amerikanë e spanjollë, zotërim i të cilëve ishte Kuba e atyre kohëve, gazetat, prona të manjatëve Wiliam Randolp Hearst dhe Joseph Pulitzer, filluan një fushatë të paprecedentë për të detyruar presidentin e atëkohshëm të Shteteve të Bashkuara, William McKinley, t‘i shpallte luftë Spanjës. McKinley, që ishte një veteran i luftës civile amerikane midis Jugut dhe Veriut, kishte deklaruar se "nuk donte të shikonte më kufoma", por presioni i opinionit publik, i nxitur nga shtypi i dy manjatëve të sipërpërmendur, e detyroi Presidentin pacifist, t‘i shpallte luftë Spanjës.
Kjo luftë do të mbahet mend në doktrinën ushtarake si e para, ku u përdorën totalisht anije luftarake prej hekuri; në histori si lufta që i dha fund realisht zotërimit spanjoll në Filipine e Amerikën Latine dhe, reduktuan misionin e saj nga perandori, në një shtet të rëndomtë europian; si lufta ku u kalitën komandantë dhe udhëheqës të rinj, ku më i spikaturi ishte Presidenti i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara, Theodore Roosevelt, kushëri i Presidentit tjetër pasardhës, Franklin Delano Roosevelt që udhëhoqi SHBA-në në Luftën e Dytë Botërore; në politikën ndërkombëtare, si dalja e parë e Shteteve të Bashkuara, nga kontinenti amerikan, ku kishte qëndruar për më se një shekull e mbyllur nga "Doktrina Monroe", në teatrin aziatik e botëror. Por mbi të gjitha kjo luftë do të mbahet mënd, si lufta e cila u nxit nga shtypi, dhe ku pushteti i tij detyroi një komb të tërë të futej në luftë.
Në Romën mesjetare, qeveritarët, papët dhe personazhet e famshme, ua kishin frikën paraardhëseve të gazetave, të quajtura "Pskuinët", siç quheshin traktet e varura në qafat e statujave të qytetit të lashtë, e që kishin fuqinë të shkatërronin karriera e të provokonin revolta.
Në agun e kohëve moderne, Napoleoni, në fillim të shekullit të 18-të, e ndiente se krijesa e cila ende shtypej në mënyrë primitive, dhe shpërndahej në masë të kufizuar mes popullsisë së pakët urbane, do ishte një enfant terrible (fëmijë i tmerrshëm, në frëngjisht), i aftë të përmbyste qeveri dhe rende shoqërore, ndaj e kufizoi vetëm në gazetën qeveritare. Pas tij Meternihu, Kryeministri diabolik i Perandorisë Austriake, ia nënshtroi censurës policore, e më vonë shumë qeveritarë të tjerë të kontinentit, të shteteve të sapolindura, apo të konsoliduara prej shekujsh, do përdornin herë dorën e hekurt dhe herë korruptimin, për ta bërë palë të qeverisjes, ose përkrahës të saj.
Por vetëm në kontinentin ku kishte lindur kombi i formuar nga liridashësit e lundërthyerit, shtypi do merrte formën që ka sot, dhe do t‘i dhurohej froni i pushtetit të katërt, front të cilin e meritoi dhe u bë shembull jo vetëm si mjet për zbulimin e plagëve të shoqërisë, por edhe shembull për sivëllezërit e tij në kontinentet e tjera.
Pa shtypin e lirë, bota s‘do kishte mësuar për Watergate; tmerret e Vietnamit; abuzimet e Abu Ghraib në Irak e Guantanamos. E më gjerësisht, për Çeçeninë, Kosovën, Bosnjën, vuajtjet e refugjatëve palestinezë, gjenocidin në Ruanda, vrasjet e Juntës së Pinoçetit në Kili, lufta e pisët e gjeneralëve francezë kundër algjerianëve, e duke ikur mbrapsht në kohë shumë abuzime me jetët njerëzore, të bëra në historinë e njerëzimit, do kishin kaluar në heshtje, nëse nuk do ishin shtypi dhe gazetarët që do ia sillnin para syve opinionit.
Larg panegjerikëve, edhe ky pushtet vuan nga sëmundjet e fuqisë, për më tepër kur duke e kuptuar rëndësinë e tij, pushtetet e tjera, deri tek ato të kriminalizuara, janë përpjekur ta bëjnë palë, e në pamundësi të saj, ta bëjnë të heshtë. Herë duke ja dalë, dhe më shumë duke mos mundur.
Janë këto simptoma që vërehen nga shoqëritë superteknologjike e të emancipuara si ajo amerikane, e deri në shoqëri në fillesat e saj të bashkëjetesës së katër pushteteve si e jona.
Shpeshherë gazetarët shqiptarë, janë pre e presioneve, të cilat fillojnë nga botuesit e gazetave që janë të lidhur me aktivitete të tjera, ndërsa shtypin e kanë mbështetës në opinionin publik, të aktivitetit të tyre primar; nga pushteti i votuar të cilit nuk i pëlqen zbulimi i plagëve të sistemit; janë objekt i vështirësive ekonomike të mbijetesës materiale, e sponsorizuar kjo nga vetë pushtetet konkurrente si ai politik dhe ekonomik, dhe aq më e vështirë bëhet ruajtja e ndershmërisë morale me publikun, kur duhet të zgjedhësh balancën e vështirësive, përballë asaj të lehtësive që afrojnë pushtete në këmbim.
Historia e shtypit shqiptar, në kaq vite shtet i pavarur sa ka vendi ynë, më shumë ka kaluar në periudha censure dhe vetëcensurë.
Megjithatë, gazeta si "Tomorri" në periudhën para çlirimit; "Hosteni", "Drita", e deri te "Zëri i Popullit" në periudhën e sundimit komunist; e me dhjetëra organe të lindura me liberalizimin e vendit në vitet ‘90 të shekullit të shkuar, debutuesit e shkrimit në to, kanë treguar se në Shqipëri ka ende njerëz që janë gati t‘ia shesin shpirtin gazetarisë, sesa Djallit, pavarësisht sakrificave që bie kjo zgjedhje.
Ka në përkushtimin e këtyre gazetarëve idealizëm, patriotizëm dhe përkushtim, ashtu si besimi ndaj një formacioni dhe ideologjie të caktuar, merret nga bashkëprofesionistët si shitje për interes; e jo rrallë ndodh që me fjalët e idealistit të shitet batakçiu.
Ka shitje edhe për interesa ekonomike, karriere dhe influence, por për fat të mirë, deri më sot është pushteti më pak i korruptuar i vendit tonë dhe shoqërive në përgjithësi.
Qenia nën vëzhgimin e përditshëm të publikut, e bën këtë pushtet, që servilizmi, nepotizmi, paaftësia dhe shumë plagë të tjera që lulëzojnë në pushtetet e tjera, të jenë më pak prezentë, pikërisht se do jetë gjykimi popullor, që do përcaktojë se cilët janë favoritët e tij.
Qenia e popullit të gazetarëve, me koeficientin më të lartë të arsimimit dhe mbi të gjitha një klasë me ndjeshmëri demokratike të lartë, e bëjnë edhe më të hapur ndaj fenomeneve të përparimit dhe të vlerësimit të aftësisë.
Në një krahasim me produktet e nxjerra para viteve ‘90 në fushat e letërsisë, teatrit, muzikës, kinematografisë etj; mund të thuhet se vetëm gazetaria, është ajo e cila ka pasur një hop përpara në këtë 20-vjeçar.
Ashtu si çdo pushtet, edhe shtypi ka plagët e tij kronike, morale dhe ekonomike, aq më tepër në ditët e sotme kur rënia e ideologjive të mëdha, e ka lënë shoqërinë njerëzore, pa një oponencë të mirëfilltë, të cilën shpesh detyrohet ta bëjë gazetaria. E kjo përpjekje, me njerëzit e fuqishëm, e së fundmi edhe krizën, shpesh bie edhe dëshpërimin në radhët e gazetarëve për pafuqinë e tyre për të bërë në çast botën më të mirë, dhe dëshirën e të fuqishme të kësaj bote, për ta vrarë krijesën e kohëve moderne.

******
Shpeshherë, në baret amerikane të perëndimit të largët (të famshmet "Saloon"), në fund shekullin e 19-të dhe fillim shekullin e 20-të, kohë kur këto hapësira gëlonin nga kaubojsit, sherifët dhe të kërkuarit nga ligji, dhe ku sherri i shoqëruar më krisma pistoletash ishte në menynë e ditës, varej një tabelë ku shkruhej: "Mos qëlloni mbi pianistin. Është i vetmi që kemi".
Ndoshta këto frazë duhet t‘i kujtohej çdonjërit që do merrte iniciativën të mbysë shtypin, në këtë botë gjithmonë e më shumë materiale, dhe ku e vërteta është gjithmonë e më e vështirë të thuhet. Të paktën gazetarët guxojnë dhe përpiqen.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›