Rama: Protesta rrugë më rrugë
Partia Socialiste duket e vendosur në qëndrimin e saj për të mos u kthyer në sallën e Kuvendit nëse mazhoranca nuk plotëson kushtet e saj. Kryetari i PS-së, Edi Rama, gjatë një konference për shtyp ritheksoi dje edhe njëherë se cilat janë kushtet kryesore që Kryeministri Berisha dhe mazhoranca e tij duhet të plotësojnë për t‘i hapur më pas rrugën grupit parlamentar të PS-së, që të rikthehet në Kuvend duke i dhënë fund bojkotit politik. Rama i bëri apel Kryeministrit Berisha që të kuptojë se shurdhëria ndaj kërkesave të opozitës për të normalizuar jetën parlamentare të vendit vetëm po e rëndon e do ta rëndojë edhe më shumë përgjegjësinë e tij. Kryetari i PS-së, Rama, theksoi se opozita do të protestojë më datë 10 tetor para zyrës së tij për t‘i kujtuar kreut të qeverisë se Partia Socialiste nuk hyn në Parlament pa u plotësuar kërkesa e patjetërsueshme për transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit. "Me të gjithë opozitën ne do të përshkallëzojmë manifestimin e protestës për shkeljen e ligjit që garanton hapjen e kutive të votimit", u shpreh Rama. Sipas kreut të selisë rozë, manifestimi opozitar i të shtunës, 10 tetor, është vetëm fillimi i një përpjekjeje që PS-ja do ta shtrijë në çdo rrugë të vendit, në qoftë se pushteti i lindur nga grabitja e votave nuk hap kutitë e 28 qershorit. Duke iu përgjigjur deklaratave të kreut të KQZ-së që fletët e votimit do të digjen për të bërë gati kutitë për zgjedhjet e pjesshme të 15 nëntorit, Rama i bëri apel Kryeministrit Berisha të kuptojë se "prekja e kutive të votimit, apo largqoftë për të e për ushtarin e tij fanatik në krye të KQZ-së, asgjësimi i kutive ndërkohë që ne kërkojmë hapjen e tyre, jo vetëm që nuk do ta shpëtojë këtë pushtet të korruptuar e korruptues nga përballja me të vërtetën e popullit opozitar, por përkundrazi do të konsiderohet prej nesh si një shprehje e patolerueshme e dhunës ndaj opozitës". Më 10 tetor opozita do të protestojë paqësisht para zyrës së Kryeministrit, tha Rama, për t‘i dhënë fund çdo lloj dhune mbi votën e mbi njerëzit që masivisht po vazhdojnë të hiqen nga puna për shkak të bindjeve e përkatësive të tyre politike. "Sali Berisha të kuptojë se nuk mund të vazhdojë të tallet me shqiptarët duke u thënë përditë se opozita po pengon heqjen e vizave, sepse shqiptarët janë paralajmëruar prej nesh, kohë më parë, që me Sali Berishën e me pushtetin e tij, Shqipëria do të mbetej, siç mbeti, jashtë programit të heqjes së vizave ku u futën Serbia, Mali i Zi e Maqedonia", theksoi kreu socialist. Sipas Ramës, Kryeministri Berisha duhet të japë llogari pse nuk u fut Shqipëria në grupin e këtyre vendeve, gjë e vendosur shumë më parë se opozita vendosi të mos hynte në Kuvend për shkak të grabitjes së votave. Kjo betejë, sipas Ramës, bëhet për të çliruar zgjedhjet nga zgjedha e shtetit të bërë njësh me pushtetin dhe për t‘i dhënë fund një historie të turpshme zgjedhjesh të deformuara. Dhe pa i dhënë fund historisë së dhunës mbi votën e qytetarit shqiptar, pa rivendosur barazinë para ligjit dhe pa çliruar çdo qytetar nga hija e hakmarrjes politike të pushtetit të radhës, nuk ka Shqipëria europiane për të gjithë. Ne, tha Rama, na intereson Shqipëria europiane për të gjithë dhe jo Shqipëria europiane për Sali Berishën, Ilir Metën, Fatos Nanon dhe për kompaninë e tyre, bashkë me oborret e tyre klanore dhe familjare.