FSHF: Në stadium, vetëm fituesi i tenderit
Transmetimi i ndeshjes vazhdon të shkaktojë polemika në Federatën Shqiptare të Futbollit. Dje ka qenë pikërisht FSHF ajo që ka theksuar se transmetimi i ndeshjeve të skuadrave kryeqytetase, Tirana dhe Dinamo, nga një televizion i cili nuk është fitues i tenderit të organizuar nga FSHF dhe UFA Sport, është i paligjshëm. "I referohemi nenit 32 dhe nenit 34 të ligjit shqiptar për ‘Sportin‘, që saktësojnë se e drejta e transmetimit dhe e drejta e reklamës në stadiume administrohen nga FSHF, ka qenë reagimi i sekretarit të përgjithshëm, Eduard Prodani. Prandaj kjo që po ndodh me këto dy klube është qartësisht e paligjshme. Shpresojmë që shumë shpejt këto klube të tërhiqen nga vendimi për t‘ia shitur këtë të drejtë një televizioni tjetër". Sekretari i përgjithshëm i FSHF, Eduard Prodani, ka pohuar se do t‘u jepet fund edhe filmimeve të operatorëve të tjerë televizivë, që nuk e kanë të drejtën e transmetimit. "Jemi në proces të arritjes së një marrëveshjeje me fituesit e tenderit ‘SuperSport‘ dhe ‘TVSH‘, sipas të cilit të gjitha ndeshjet që ata transmetojnë, t‘jua japin minutazhin e caktuar edhe operatorëve të tjerë". E drejta televizive e Kategorisë Superiore aktualisht është shitur vetëm për territorin shqiptar, ndërkohë që Prodani shtoi se po punohet që kjo e drejtë të shitet edhe për shtetet e huaja dhe të ardhurat që do të vijnë nga shitja e së drejtës së Kategorisë Superiore të shkojnë në favor të klubeve shqiptare.
A. M.
A. M.