E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Tiranë/ Qarkullonte me pistoletë dhe kokainë me vete, arrestohet 37-vjeçari, procedohet pasagjerja

Policia e kryeqytetit ka arrestuar një 37-vjeçar, pasi qarkullonte në automjet i armatosur dhe me lëndë narkotike, ndërsa ka proceduar penalisht pasagjeren 35-vjeçare.

Blutë e Tiranës bëjnë me dije se kanë ndaluar në rrugën dytësore Tiranë-Vorë, automjetin me të cilin po qarkullonte 37-vjeçari, të cilit gjatë kontrollit i kanë gjetur pistoletë dhe kokainë, ndërsa në çantën e pasagjeres, konstatuan një sasi kanabisi.

Policia njofton se “Në rrugën dytësore Tiranë-Vorë, shërbimet e Policisë kanë ndaluar automjetin me drejtues shtetasin A. Z., dhe gjatë kontrollit të automjetit, gjetën një armë zjarri pistoletë dhe sasi lënde të dyshuar narkotike kokainë. Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit të çantës së shtetases E. B. (pasagjere në mjet), gjetën sasi lënde narkotike të dyshuar kanabis, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale sëbashku me pistoletën dhe kokainën”.

Policia sekuestroi një armë zjarri pistoletë me municion luftarak, si dhe sasi të vogla lënde të dyshuar narkotike kokainë dhe kanabis, ndërsa arrestoi 37-vjeçarin A. Z., banues në Golem dhe procedoi penalisht  35-vjeçaren E. B., banuese në Tiranë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›