E Shtunë, 31 Tetor 2026

KOKAT E PADENJA PER KURORE!

Ndërsa Parlamenti ishte përfshirë në një tiradë të ethshme puritaniteti dhe devocioni virtytshmërie, nga ajo e harruara prej kohësh, nga ajo e mbetura në mendjet e mpira vetëm të gjysheve afër shekullit të moshës, jam gati të vë bast e ta fitoj, se Ylli Pango kafshonte thonjtë para ekranit, duke shfryrë si lokomotivë me avull:

- Qenër, Juda!

Jam gati të përfshi në këtë bast, edhe bindjen tjetër, se pikërisht ky shfrim, ishte bjerja e vetme e ndërgjegjes së profesorit Pango. Shfrim tipik prej kali të zënë në faj, që shin i vetëm lëmin e bërë gati për ta shirë një tufë e tërë kuajsh mëkatarë, po ende të pakapur.

Dhe ç‘është e vërteta, hiç mos, ndonjë matuf a matufe, që pandeh akoma se bebja del nga sqetulla e mamit dhe jo nga… vendi që dihet, shqeu sytë nga habia nëpër ekrane. Cilido njeri tjetër me lidhje dhe dijeni minimale për ç‘bëhet rreth tij e ç‘ndodh përgjithësisht në këtë planet, skandalin e përcolli me nënqeshjen e njeriut që e di se si funksionon mekanizmi, dhe që pse jo, qoftë në njërin rol, qoftë në tjetrin, i ka ndodhur mbase edhe më se një herë të jetë interpretues. E veçanta e gjëmës së Pangos, ishte thjesht qenia e tij rast luan, përballë dhjetëra rasteve miushë të përditshëm, që gëlojnë zyrave dhe skutave publike dhe private, që pas lënë vetëm aq zhurmë sa ç‘mund të lërë ëndja e rënkimeve të kënaqësive, qoftë edhe nga halli, dhe jo krismën e stimuluar mediatike që la pas rasti i Pangos! Dreqi e mori, hajde de ta kishte shpurë gjer në fund!

Efektin si shkreptimë në të thatë gushti, që bëri "bumja" Pango, zor se e kanë parashikuar edhe vetë ata që i hynë andrallës së guximshme për ta realizuar. Filloi me reagimin e Kryeministrit.

Paskan ndenjur me kronometër në dorë, njerëzit që monitorojnë dhe organizojnë ditën e punës së Kryeministrit. Dhe paskan qenë vetëm katër minutat që qenkej qenë përmbajtur Kryeministri, për t‘i rrëzuar Pangos mbi kokë, një herë e mirë, çatinë e vilës së karrierës politike, dhe për t‘i lënë në derën e vilës së mëkatit, të përjetshme, munxën e mallkimit për bërjen rezil namuzit të partisë së Kryeministrit. Pavarësisht se dikush tha, po askush nuk u mor me atë thënie, se vetë Kryeministri paskësh blerë me lekë në dorë një material filmik komprometues të pak viteve më parë, gjithashtu të Pangos ministër tani së fundmi. Flitet se gjithë pastorët tanë politikë vdesin të kenë të bëjnë e të kenë nën hyqëm, njerëz me cene të xhiruara, ose incizuara. Kur duhej të ishte e kundërta, për t‘iu paraprirë skandaleve si ky që la miletin pa gojë.

Nga zyra e Kryeministrit, shtjella e vrerit u derdh në Parlament. Edhe atje, faqeza "elektoratit tim", emër i ri ky, për copërat e popullit që një herë në katër vjet, duke zënë hundët nga krupa, voton megjithatë, ditën e zgjedhjeve, duke mallkuar me shpirt, "mos ardhshi më, jarebi"! Edhe në Parlament pra, burra e gra namuzqare, thua se do çirrnin faqe e shkulnin flokë, aq e padëgjuar qe ajo që kishte bërë i paudhi Pango. Vetë shefja, me një qëndrim të denjë prej babe dhe nëne njëherësh, la fronin e saj e zbriti në foltoren e rëndomtë, për t‘u shkrirë e bërë një me masën e qelibartë politikisht dhe moralisht sidomos, që vajtonte në foltore, për gjëmën që kish ngjarë.

Disa dhjetëra duzina çifte nofullash të stërvitura nga llapja në atë sallë, plot syresh pjella të të gjitha legjislaturave plurale, pështynin emrin e Pango ziut, gjithë neveri, sikur të pështynin nga goja, qimen kaçurrele të marrë në një vend të zahmetshëm… A thua se nuk qe shoku i tyre, shoku në kuptimin gjithëpërfshirës të fjalës, aty e ca orë më parë. Kjo zogori burrash e grash që i dinë njëri-tjetrit të nëntëdhjetë e nëntat e të zezave që mund të bëjë i gjalli, i ktheu krahët viktimës, thjesht dhe vetëm se nuk diti të ruhej "e na rrezikoi të tërëve më gomarllëkun e tij". Ky kor mëkatarësh me lëkurën bërë shollë nga paturpësia, është po aq mëkatar, në mos më shumë, se sa shoku i tyre i damkosur.

Dhe të keqen e seksit, nëse do ishte mëkati i vetëm. Janë aq të ditura e të njohura skandalet, ku e ku më të kushtueshëm, se sa një palë tanga varur në gozhdë, saqë përsëritja e tyre do të ishte po aq e kotë, sa të njëjtit person t‘i uroje tre-katër herë të njëjtin mëngjes. Dosjet-dyshekë mbi të cilat "fle" prokuroria. Dosjet që, po prokuroria, ka shkundur e varur në tel. Dosjet që thashethemohen vesh më vesh e kafene më kafene pa mbërritur kurrë në derën e prokurorisë, të gjitha, mbajnë llagapet e njerëzve etalon të takimit rastësor me pushtetin. Aq rastësorë, sa mëngjesin e parë të spaletave, "Zot, ruajna mendjen e kokës!" i kanë thënë vetes para pasqyrës "gjeneralët" buzëqumësht, të habitur gjer në çmeritje nga peshqeshi që u hodhi Zoti në derë.

Edhe pse bënë, dergjen e shullëhen, nëpër vila me oxhakë, kjo kategori karkalecërie pas pushtetit nuk ka qenë asnjë çast të vetëm dhe ndaj edhe nuk mund të jetë Oxhak e Derë e Madhe e llojit që t‘i ketë hije pushteti. E llojit që pushteti në dorën e tyre të shndërrohet në një angazhim patriotik, në mundësi që gjeneron shpresë dhe prosperitet për qindra mijëra që nuk ua ndajnë sytë e mbushur me shpresë. Ndaj lavdia e tyre e vetme, është jeta publike sa jeta e kometës, përdorimi i pushtetit, siç përdor jevgu të shoqen, domethënë për t‘ia rrjepur të shtata lëkurët. Kjo uri e babëzi lukunie, ua bën natë pa një yll, gjithçka përpara syve. I bën t‘iu duket shi pranvere pështyma e mllefit dhe zhgënjimit popullor, sepse ky sekt kacabunësh nuk shqetësohet aspak, as e ka gjëkund në moral, përgjegjësinë para të nesërmes.

Sepse në asnjë të qindtën e sekondës, kjo skotë puftesh me mashkulloritet tepër të dyshimtë, për nga nënshtrimi tipik femëror e kam fjalën, postin nuk e konsideron mundësi shërbimi publik. Le të pëlcasin duke u shitur, darkë e mëngjes, si shërbëtorë e shërbesëtarë! Prapë janë të pabesueshëm.

Tullupanet e tyre katërqoshelie, që nuk i maskojnë dot kurrsesi, as modat e fundit të qethjeve e krehjeve, kokat nëpër zgavrat e të cilave fryn e shfryn vetëm duhmë e qelbur përfitimi i çdo lloji, duken që atje matanë, që nuk janë të denja për kurora. Kurorëzimi i këtyre hajdutëve të pamoralshëm xhepash publikë, fronëzimi i këtyre pasagjerëve të rëndomtë në trenin e fatit të këtij vendi, është përgjegjësi kryekëput e atyre që herë pas here ndërrojnë kyçet e pushtetit dhe diagnostikojnë e kurojnë sëmundjet e pafundme të këtij vendi të sfilitur. Dorëzimi i timonit të anijes, nëpër duar "muçosh" thjesht të bindur si eunukë, por po aq dallaveraxhinj si kodoshë, është në mos një mykje politike, detyrimisht një mentalitet e stil bizantin qeverisjeje. Kryekëput i dështuar e diskreditues, jashtë kohe, i vjetër, absurd, asgjësues. Për dobinë e vendit po se po, por edhe për fatin historik të liderëve, të burrave që pretendojnë të numërohen në histori, si burra grash dhe burra shteti njëherësh. Pakujdesitë e tyre në përzgjedhje ekipesh janë të rrezikshme, pjellin monstruozitete. Ndërsa riciklimi i të tillëve, siç edhe ka ndodhur, është një krim i paramenduar.

"Nuk e jap mandatin. Jam deputet me votën e marrë me gjak dhe sakrifica…", tha Pango faqe botës!

Ǒështë ky gjak për vota në demokraci, mor profesor ziu! Ku ke parë ti, shërbëtor që të derdhë gjak për të shërbyer! Je edhe psikolog, mor ditëzi! Mos do të thuash gjë se pushteti i marrë me gjak, harrojeni se mund të lëshohet me djersë zgjedhjesh të ndershme!? Gjak në të djathtë e gjak në të mëngjër do vejë kjo puna jonë vallë!? Ë profesor!?

Akoma e kam në zemër një "cërr" që ndjeva në sheshin "Skënderbej" natën e mitingut përmbyllës të fushatës elektorale demokratike. Trrak e cërr ma bëri zemra tek pashë se si i vërsulej mikrofonit një djalosh i denjë për balerin. Pandeha se do kërcente i ftuar në ziafetin politik, por jo, isha gabuar. Nisi të klithte si një shpezë e gëzuar, e lumturuar që po gjente furrikun për të bërë vezën me dy të verdha, për atdheun e tij të dashur e të shumëvuajtur. Ulërinte në mikrofon, me një entuziazëm, me një ekstazë mizore se po i afrohej pushteti. Askush nuk e njihte atëherë as si emër, lere si kontribut. Ndonjë stër-stërnip i Kastriotëve a Ismail Vlorës, ngushëllova veten. Mezi ç‘pritka të shpjerë në vend amanetin e të parëve të tij, për Shqipërinë, bile edhe atë të Madhen fare. Ashtu doli vërtet. E bashkoi që e bashkoi me një rrugë të gjatë e të gjerë sa dy rrugë bashkë, nga Durrësi në Kukës. Paçka se pjella rezultoi dobiç afro treqind milionë eurosh dhe kumbari, një serb me skrupuj të bjerrur nëpër afera pis të zeza.

Të zë e liga shpirtin, tek me sebepin e Pangos, bën me mend apelin e tërë kopukëve, ngjitur si molë pas gëzofit të pushtetit. Zë e flet me vete si i lajthitur, duke bërë apelin e skandaleve dhe paudhësive të pafundme të këtyre këlyshëve pa kartelë race dhe prejardhjeje. Krejtësisht të padenjë për kurora, krejtësisht anonimë. Të këtyre qehajallarëve që struken nëpër vilat "e tyre" si maçoku në shtëpinë e gjitonit, të trembur gjer në palcë, për të mbërthyer në dyer tabela me emrat e të zotëve. Të bindur thellë për pronësinë kriminale të themeleve dhe strehëve brenda të cilave gëlon krimi dhe dallaverja e çdo lloji.

Nuk mbaron këtu e keqja. Kurorëzimi dhe mbretërimi i të tillë kopukëve, pa halë në sy dhe pa gjemb në këmbë, pa ndëshkim siç e kërkon nderi i ligjit dhe drejtësisë, mbjell mosbesim masiv për shtetin dhe ligjin e tij. Bën që shtetasit ta shohin shtetin e tyre si një qelbash të padenjë as për t‘i hedhur sytë. Kjo është gjëma e vërtetë, që rri si një tumor i lig ngulur në shpresën e shqiptarëve për të nesërmen e tyre e të atdheut të tyre. Kjo është metastaza që mufat e kalb, gjer në qelbje, dilemën e të mëdyshurve: "Do bëhet ndonjëherë ky vend?!", dhe mallkimin e drastikëve: "Kurrë mos u bëftë!".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›