E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tiranë, Topalli, takim me gratë diplomate

TIRANË- Kryeparlamentarja Jozefina Topalli ka zhvilluar sot një takim me diplomatet, bashkëshorte të ambasadorëve të akredituar në Tiranë si dhe ish-deputete të Kuvendit të Shqipërisë.  Në këtë takim, si iniciatore të Klubit diplomatik Mirëserdhe në Shqipëri ishte bashkëshortja e ambasadorit të OSBE, Ana Maria Uollfarth si dhe zonja Liri Berisha.

Topalli bëri për të pranishmet një prezantim të shkurtër të historikut të parlamentarizmit shqiptar qysh me fillimin e tij në vitin 1912, 100 vite më përpara, për të vijuar më pas me Këshillin Kombëtar të Lushnjes, Kuvendin Kushtetues, afirmimin e Shqipërisë si Republikë Parlamentare, periudha e mbretërisë shqiptare, periudha e errët e komunizmit e Kuvendit Popullor, dhe më pas rilindja e Parlamentit në vitin 1991.

Pavarësisht nga vështirësitë dhe sfidat që Parlamenti ka kaluar gjatë kësaj periudhe, unë jam shumë e kënaqur, pasi po të shohim pak më prapa të shohim ku kemi qenë dhe ku jemi, secila prej nesh duhet të jetë jashtëzakonisht krenare se sa shumë ky vend ka ndryshuar, se sa shumë larg ky vend ka shkuar në një kohë relativisht të shkurtër tha ajo.

Zonja e kryeministrit, Liri Berisha vlerësoi rëndësinë e ekspozesë së historikut të parlamentarizmit shqiptar, dhe në veçanti rolin dhe kontributin e gruas ndër vite në konsolidimin e shoqërisë shqiptare.

Një shoqëri pa rolin, pa kontributin, pa butësinë dhe ndjenjat e gruas është një shoqëri e ngurtë, një shoqëri e vrazhdë, një shoqëri pa ndjenjat e jetës. Në rast gratë sot të bashkohen dhe do të ndihmojnë njëra-tjetrën, sfidat do të jenë më të lehta. Në rast se zërat e tyre do të bashkohen, zëri i tyre do të jetë i lartë dhe i parikthyeshëm, nuk do të mund të mposhtet tha ajo.

Bashkëshortja e Kreut të Prezencës së OSBE në Tiranë, Ana Maria Uollfarth në emër të grave diplomate falënderoi Kryetaren e Kuvendit, e cila siç tha ajo : Hap dyert e Parlamentit, Shtëpisë së Demokracisë së Shqiptarëve për të mësuar mbi parlamentarizmin, historinë, dhe për të pasur një imazh se si kanë kapërcyer shqiptarët kohëra të vështira deri në ditët e sotme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›