E Diel, 1 Nëntor 2026

Tiranë, Topi e Berisha presin delegacionin kosovar

TIRANë- Presidenti Topi priti sot një delegacion me deputetë të Kuvendit të Kosovës. Në përbërje të tij ishin deputetë të Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport të Kuvendit të Kosovës, kryesuar nga Kryetari i këtij Komisioni, Arsim Rexhepi.

Presidenti Topi vlerësoi marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve tona, të reflektuar edhe në shkëmbimet e vizitave zyrtare të të gjitha niveleve, duke shprehur vullnetin për forcimin e mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve. Nga ana e tij Rexhepi vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të të gjitha institucioneve shqiptare në funksion të konsolidimit të shtetit të ri të Kosovës, por njëkohësisht nënvizoi faktin se Kosova ka ende nevojë për ndihmën e Shqipërisë në procesin e forcimit të mëtejshëm të institucioneve të saj.

Në takimin e zhvilluar gjatë paradites në presidencë ishte i pranishëm edhe Ambasadori i Republikës së Kosovës në vendin tonë, Gazmend Pulaj. Ndërkohë delegacioni i deputetëve kosovarë është pritur sot edhe nga kryeministri Berisha. Në fjalën e tij kreu i qeverisë shqiptare theksoi se mes Shqipërisë dhe Kosovës, nuk duhet të ketë dallim për asnjeri se ku studion; sistemi arsimor duhet të jetë i njëjtë, për të arritur synime të përbashkëta arsimore. “Ne duhet të shkojmë drejt teksteve të përbashkëta, me përmbajtje të njësuara, pasi të vërtetat janë një dhe detyra e shkencës është t’u heqë pluhurin dhe mykun e së kaluarës e t’i bëjë ato të shndrisin”, theksoi gjatë takimit kryeministri Berisha.
(m.a/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›