Tiranë, amerikania tenton vetëvrasje

23 vjeçarja me shtetësi amerikane Sara Smith ka tentuar të vetëhidhet nga kati i nëntë i pallatit ku banote që prej katër muajsh në afërsi të Prokuorisë së Përgjithshme. Burime nga policia bënë të ditur se ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së mërkurës, kur shtetësja amerikane ka tentuar të hidhet nga dritarja e shtëpisë së saj. Por ka qenë fqinji i 23 vjeçares i cili pasi e ka parë veprimin e saj ka lajmëruar menjëherë policinë. Forcat e komisariatit nr.4 të kryeqytetit kanë mbërritur në vendin e ngjarjes duke tentuar të komunikojnë me Sara Smith për të mos kryer aktin e vetëvrasjes, më pas në ndihmë të tyre kanë mbërritur edhe forca të RENEA-s të cilët kanë negocuar me shtetasen amerikane dhe pas disa negociatash ajo ka mundur të zbresë nga dritarja dhe të hapë derën e shtëpisë ku më pas kanë hyrë edhe forcat e policisë. Të njëjtat burime pohojnë se 23-vjecarja amerikane është dërguar në spitalin Nr.5 për të bërë ekzaminimet të mëtejshme për gjendjen e saj psikike, pasi dyshohet se vuan nga çrregullime mendore. Madje sipas policisë nga hetimet paraprake rezulton se amerikania kishte tentur të vetëvritej edhe disa jave më parë, duke numëruar herën e dytë të tentativës së vetëvrasjes. Mësohet se Sara Smith, dyshohet se ishte pjesë e një sekti fetar, por policia po punon për të zbadhur shkaqet që kanë dërguar 23 vjeçaren për të kryer aktin e vetëvrasjes.