Tiranë, arrestohet sërish italiani Italo Gigante

Arrestohet për herë të dyte italiani Italo Gigante , për qëllime ekstradimi për në Belgjikë. Arrestimi u krye sot rreth orës 11:00 nga Policia e Tiranës. Biznesmeni 57 vjeçar Italo Gigante banonte në rrugën "Milah Duri" në kryeqytet. Ndërkohë në fund të muajit korrik Gjykata e Apelit e Tiranës vendosi ta linte në arrest shtëpie për 40 ditë italianin Italo Gigante, i akuzuar për riciklim parash, korrupsion dhe mashtrim me fondet e Bashkimit Europian për ndërtesën e Delegacionit Europian në Tiranë. Gjykata e Apelit dha këtë vendim për italianin, duke iu dhënë mundësi autoriteteve belge që të sjellin brenda këtij afati dokumentacionin e nevojshëm për ekstradimin e shtetasit italian..
Në mars të vitit 2007, Italo Gigante u arrestua në Belgjikë se bashku me tre zyrtarë italianë të Komisionit Europian, nën akuzën e përfshirjes në një skemë më të gjerë korrupsioni që kishte lidhje me rindërtimin dhe marrjen me qira të ndërtesave që do të ktheheshin në seli të delegacioneve të KE-së në Tiranë si dhe Nju Delhi të Indisë. Më 14 korrik ai hyri në Shqipëri nga Aeroporti i Rinasit, por u arrestua nga Interpol Tirana për llogari të drejtësisë belge.