Tiranë, arrestohet shefi i krimeve të komisariatit nr 1

Shefi i Krimeve të Komisariatit numër një në Tiranë, i transferuar vetëm dy ditë më parë në policinë e Përmetit, është vënë në pranga nën akuzën e korrupsionit në më shumë se një rast.
Fatos Goxhaj është vënë në pranga pas një hetimi disa mujor, ku ka rezultuar se ai ishte i përfshirë së bashku me të tjerë efektiva të policisë së këtij komisariati në një rrjet korrupsioni, ku në këmbim të shumave të mëdha të parave mbyllnin apo ndikonin në mbylljen e çeshtjeve të personave të ndryshëm.
Hetimi është kryer nga shërbimi i kontrollit të brëndshëm dhe Task Forca e Prokurorisë për antikorrupsionin. Goxhaj të premten u shkarkua nga detyra me urdhër të Drejtorit të Policisë së Shtetit dhe ndaj tij Gjykata dha menjëherë masën e arrestit me burg.
Pas vendimit të Gjykatës kolegët e tij të drejtorisë së policisë Tiranë i kanë vënë prangat. Ndërkohë që priten edhe arrestime të tjera pasi janë edhe disa policë në hetim për këtë çeshtje.