E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: Mund të marrim statusin brenda 2012, Neças: Ju mbështesim

TIRANË- Presidenti Bamir Topi zhvilloi sot një takim të veçantë me kryeministrin e republikës çeke, Petër Neças, dhe delegacionin që e shoqëron, në kuadër të vizitës zyrtare në vendin tonë.

Pasi shprehu kënaqësinë e këtij takimi, presidenti Topi konfirmoi “nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve politike mes Shqipërisë dhe Çekisë, të bazuar në një traditë miqësie dhe bashkëpunimi mes dy vendeve dhe popujve tanë, si dhe shprehu vullnetin për intensifikimin e mëtejshëm të dialogut politik, intensifikimit të nivelit të bashkëpunimit ekonomiko-tregtare mes dy vendeve tona, kryesisht në fusha me interes reciprok, si në energji, industri, transport, bujqësi, turizëm, ku me interes do të ishte vendosja e një linje direkte fluturimi Tiranë-Pragë, që mund të realizohet në prag të sezonit të ri turistik.

Më tej, duke bërë një panoramë të shkurtër të situatës politike në vend dhe të angazhimit të shtetit shqiptar për përmbushjen e 12 prioriteteve të përcaktuara nga Komisioni Evropian, në kuadër të procesit euro-integrues të vendit, presidenti Topi nënvizoi rëndësinë e madhe të këtij procesi, pasi “ekzistojnë mundësitë që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat brenda këtij viti, duke arritur rezultate konkrete e progres në të gjitha prioritetet kyçe dhe veçanërisht duke përmbyllur në kohë punën mbi reformën elektorale, rregulloren e parlamentit dhe pavarësinë e organeve të drejtësisë,”. “Marrja e statusit është e mundur gjatë vitit 2012, nëse shënohet progres drejt plotësimit të rekomandimeve dhe nëse arrihet mbështetja e vendeve anëtare” - u shpreh kryetari i shtetit.

Nga ana e tij, kryeministri çek, Petër Neças vlerësoi lart rolin e rëndësishëm të Shqipërisë si një faktor paqeje dhe stabiliteti jo vetëm në Ballkan, por edhe gjatë kontributit në kuadër të misioneve paqeruajtëse të NATO-s në Afganistan. Kryeministri çek vuri në dukje gjithashtu se Çekia do të vazhdojë të kontribuojë në drejtim të integrimit evropian të Shqipërisë dhe në këtë kuadër, do të japë të gjithë mbështetjen dhe përvojën nevojshme për marrjen e statusit të vendit kandidat, ashtu siç e ka mbështetur vendin tonë edhe në integrimin në NATO.
(ma.ar/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›