E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Këshilltari i Berishës shet tekstet shkollore

Tiranë- Ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj ka prezantuar sot pr/ligjin për arsimin parauniversitar, në Komisionin e Arsimit dhe Medias, dhe gjatë kësaj kohe përfaqësuesit e opozitës kanë akuzuar zvendësin e tij dhe këshilltarin e kryeministrit për abuzime me tekstet shkollore.

Sipas deputetes socialiste, Ledi Shamaku, këshilltari i kryeministrit është autor tekstesh dhe ofron trajtime për mësuesit për përfitime.

“Këshilltari i Kryeministrit, zoti Fatbardh Musai, përveçse bën tekste, nga e para deri në klasën e 12-të dhe është autor tekstesh dhe është në konflikt të pastër interesi, me pëlqimin tuaj, vërej që keni lënë një syzim edhe për agjencitë private dhe atëherë a mund t’i shpjegoni dot këtij Komisioni, përse ia keni thjeshtuar kaq shumë rrugën këshilltarit të kryeministrit, i cili ka mëse 6 vjet që ofron trajnime të mësuesve dhe të drejtorëve, ndërkohë që ende nuk është bërë platforma për drejtorin? Ai ka aplikuar për të marrë licensën, e ka marrë atë dhe që do ta shpallni pas dy javëve. Jeni përgjegjës ju dhe gjithë enturazhi juaj, për shkatërrimin e mëtejshëm të arsimit, duke e vënë si leckë të politikës”, tha Shamku.

Ndërsa ministri është kundërpërgjigjur duke deklaruar se sipas rregullores të gjithë nëpunësit e Ministrisë dhe të agjencive vartëse, janë të deklaruar për mungesë të konfliktit të interesit.

Më tej përfaqësuetit e opozitës kërkuan shpjegime mbi faktin se tekstet që përzgjidhen nga shkollat janë tekste të personave që punojnë për ministrinë.

“Pjesa më e madhe e teksteve që sot dominojnë dhe quhen ‘të përzgjedhura’, në shkollat shqipe janë pikërisht tekstet e këtyre njerëzve. Mund ta them fare hapur, njerëz që janë në stafin e afërt të kryetarit të shtetit shqiptar, apo një prej zëvendësve tuaj, që është emëruar tani rishtaz. Eshtë autor i pesë teksteve, është zëvendësministër i Arsimit dhe tekstet e tij, me siguri që do të jenë më precedencë në përzgjedhje, ku menaxhohet rreth 4-5 milionë euro që ka të bëjë prodhimi i teksteve shkollore dhe tani është më shumë për shkak të teksteve alternative, të krijohej mundësia me këtë rast, të fitonin një rrjet të tërë librarish edhe titujt artistikë dhe shkollore, në të gjithë vendin”,- tha deputeti socialist, Fatmir Toçi.

Një tjetër çështje e cila shkaktoi debat mes palëve janë nenet që lidhen mbi emërimin dhe shkarkimin e mësuesve dhe drejtorëve.

Sipas ministrit Tafaj, drejtori nuk mund ta shkarkojë mësuesin pa marrë pëlqimin e Komisionit, pra sipas tij është i ngjashëm me statusin e një nënpunësi civil.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›