E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Dhuna, ndjekje penale për 128 efektiva policie"

 

TIRANE - Policia e Shtetit ka ngjitur shkallë në respektimin e të drejtave të njeriut përgjatë tre viteve të fundit, kjo edhe dhomat e paraburgimit. Fakti u konfirmua dje nga ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, në një tryezë të rrumbullakët me Avokatin e Popullit. Në takim u diskutua për rolin e njësive të "Avokatit të Popullit" për parandalimin e torturës dhe njohjen e këtij roli nga policia, përdorimin e forcës si veprim ligjor dhe tejkalimin e saj në formën e dhunës që është e dënueshme, procedurat e shoqërimit të shtetasve sipas ligjit të ri për Policinë e Shtetit, si dhe shkeljet e konstatuara. Duke mos e shmangur evidentimin e rasteve të dhunimit të të drejtave të njeriut nga ana e punonjësve të policisë ministri Nishani shprehu progresin e arritur. "Policia e Shtetit gjatë tre viteve të fundit krahas përmirësimit të standardeve të sigurisë, ka shënuar një progres të dukshëm edhe në respektimin e të drejtave të njeriut", u shpreh Nishani. Sipas ministrit të Brendshëm, ligji i ri "Për Policinë e Shtetit" mbart frymën e shndërrimit të saj nga një forcë policore në shërbim policor. Dukë përgëzuar qartësinë e legjislacionit për mënyrën e veprimtarisë të instrumenteve të zbatimit të ligjit, Nishani tha se, "kjo i jep mundësi Policisë së Shtetit që nëpërmjet instrumenteve të saj të sigurojë rendin publik, të luftojë krimin e korrupsionin dhe nga ana tjetër në tërë këtë veprimtari të sigurojë mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të njeriut". Numri një i ministrisë së Brendshme bëri të ditur dje se në bazë të parashikimeve të legjislacionit është riorganizuar struktura e policisë edhe në zyrat e shërbimeve konkrete në terren për ofrimin e ndihmës nga punonjësi i policisë në çdo moment, kur rendi e siguria e qytetarit kërcënohet. Gjithashtu, sipas tij, nëpërmjet instrumenteve përkatës si Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm kontrollohet si zbatohet ky legjislacion prej punonjësve të policisë. "SHKB-ja gjatë tre vjetëve të fundit ka evidentuar dhe dërguar për ndjekje penale 128 punonjës të policisë për veprime arbitrare dhe tejkalim kompetencash në përdorimin e forcës", pohoi Nishani. Në tryezën e djeshme ishin prezentë Avokati i Popullit Ermir Dobjani, drejtues të tjerë të këtij institucioni, si dhe drejtues të lartë të Policisë së Shtetit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›