Tiranë, biznesmeni i zhdukur prej nëntë ditësh
Policia e Tiranës ka nisur kërkimet për një 39-vjeçar, i cili ka humbur prej nëntë ditësh dhe ende nuk ka asnjë gjurmë të tij. Sipas burimeve zyrtare, Arjan Bulku, babai i tre fëmijëve, banues në Tiranë humbi kontaktet rreth pasdites së të hënës, më 27 dhjetor dhe që prej asaj dite ai nuk është kthyer më në banesë. Policia ka nisur kërkimet në lidhje me zhdukjen e 39-vjeçarit dhe po punon për gjetjen e tij. Bulku ishte pronar i një lokali në zonën e “Qytetit të nxënësve” në kryeqytet. Sipas familjarëve, kontakti i fundit i të afërmit të tyre ka qenë rreth orës 17:00 të datës 27 dhjetor. Ai u kishte thënë se do të dilte nga shtëpia për të takuar teknikun e televizionit. Ka marrë makinën e tij dhe më pas është larguar. Nga deklaratat e dhëna nga familjarët, ai udhëtonte me automjetin e tij personal, tip “Golf 3” me targa të Tiranës. Sipas burimeve nga policia, ai kishte tentuar të fliste me vëllanë e tij, madje i kishte telefonuar, por pa marrë përgjigje. Ndërsa më pas, telefoni i tij dilte i fikur. Familjarët kanë pritur që i afërmi i tyre të kthehej. Por kjo nuk ka ndodhur. Më pas ata kanë dalë për ta kërkuar atë, tek të afërmit e tjerë, por pa arritur ta gjejnë. Ndërkohë që nuk është gjetur edhe makina personale me të cilën ai udhëtonte. Të shqetësuar, pas kontrolleve të kryera, ata i janë drejtuar komisariatit nr.6 të policisë, ku kanë kryer denoncimin. Pas kësaj, uniformat blu ngritën një grup pune dhe nisën hetimet në lidhje me këtë rast. Sipas burimeve nga policia, po hetohet në disa pista, por ende nuk ka diçka konkrete në lidhje me këtë ngjarje. Sipas deklaratave të vëllait të Arjan Bulkut, Besimit, ai nuk ka pasur asnjë konflikt, të ndodhur së afërmi, ose kohë më parë. Sipas tij, 39-vjeçari bënte një jetë normale. Ai nuk kujton që Arjani të kishte pasur ndonjë borxh më parë, ose të kishte pasur konflikt pronësie. Policia po vazhdon hetimet dhe po punon për gjetjen e 39-vjeçarit të zhdukur.