Tiranë, bllokohet ndërtimi i godinës në pronësi të UNT
TIRANE Policia bashkiake bllokon ndërtimin e një objekti 6-katësh pas godinës numër 15 në Qytetin Studenti. Aksioni për të frenuar dukurinë e ndërtimeve pa leje ka goditur këtë radhë pronarët e Universitetit Ndërkombëtar të Tiranës, të cilët po ndërtonin objektin 6 katësh. Ndërhyrja e policisë ka hasur në kundërshtimin e pronarëve të objektit. Por rezistenca ka qenë e kotë, pasi sipas policisë bashkiake për objektin nuk ka leje ndërtimi. Në të tilla kushte policia ka bërë bllokimin dhe sekuestrimin në flagrancë të tre betoniereve dhe mjetet janë dërguar në ambientet e policisë bashkiake. Ndërkohë po përgatitet dokumentacioni i nevojshëm për prishjen e objektit, pasi sipas policisë bashkiake objekti rezulton se po ndërtohet tërësisht pa dokumentacionin e nevojshëm. Prej disa ditësh Policia Bashkiake, në bashkëpunim me Inspektoratin Ndërtimor të Tiranës, po realizon aksionin e prishjeve të ndërtimeve pa leje në zona të ndryshme të kryeqytetit.
(s.g/NEWS24/BalkanWeb)
(s.g/NEWS24/BalkanWeb)