E Diel, 1 Nëntor 2026

Skandal tek Ushtaraku, Mjekët: S'ka as bisturi, pacientët i blejnë vetë

TIRANE- Mungesat te spitali Ushtarak në Tiranë janë të paimagjinueshme. Dhe nuk ankohen vetëm pacientët, por edhe mjekët.

Ata nuk kanë as bisturi, e cila kushton vetëm 10 lekë copa, për t'u futur në sallën e operacionit.Skandali është denoncuar për Gazeta Shqiptare nga një mjek i cili nuk ka pranuar të identifikohet për shkak të ndonjë mase të mundshme nga drejtuesit.

Mjeku ka thënë se ai dhe të gjithë kolegët e tij, ndonëse me siklet, janë të detyruar t'u thonë të sëmurëve se spitali nuk ka asgjë, ndaj duhet t'i blejnë vetë të gjitha.
“Ne jemi të detyruar që t'u themi pacientëve që në listën e gjërave që kanë për të blerë të shtojnë edhe bisturinë. Madje u themi të afërmëve të të sëmurëve që kur të blejnë bisturitë të blejnë nja 10 copë, pasi pjesën që na tepron i ruajmë aty për ndonjë urgjencë që mund të na vijë. Imagjinoni ku ka vajtur puna. Spitali nuk ka të na japë as bisturi, të cilat kushtojnë 10 lekë copa. Ata ne i përdorim për çdo gjë. Për operacionet, për të çarë një plagë, për çdo gjë”- citohet të ketë thënë mjeku.

Ata shpjegojnë se janë ankuar edhe në drejtorinë e spitalit, në çdo mbledhje javore që bëhet, por gjithmonë marrin të njëjtën përgjigje: do ua sjellim së shpejti. Ndërkohë pacientët që i drejtohen këtij spitali për ndihmë të specializuar dhe presin të futen në sallën e operacionit janë me dhjetëra çdo ditë.
(s.g/GSH/balkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›