Kushtet e reja për ribashkimin familjar
zirina llambro
Emigrantët duhet të plotësojnë kushte të reja që t’u lejohet ribashkimi familjar. Me dispozitat e reja të miratuara në nëntor të vitit të kaluar, ka një sërë procedurash që ndryshojnë. Ekspertët e Ministrisë së Punës në vendin tonë i vijnë në ndihmë kësaj kategorie, në mënyrë që të qartësohen për dokumentacionin. Nga sa bëjnë me dije ata, e drejta për të ruajtur apo ngritur unitetin familjar me familjarë të huaj, i njihet të huajve, që zotërojnë një prej tipeve të mëposhtme të lejeve të qëndrimit. Përkatësisht kartë qëndrimi, apo leje qëndrimi CE për Rezidentët Afatgjatë. Gjithashtu ka të njëjtën vlerë, leje qëndrimi me vlefshmëri kohore jo më të vogël se një vit, të lëshuar për motive si punëmarrës, i vetëpunësuar, si dhe për motive azili, studentore, motive fetare dhe familjare, apo edhe për motive të mbrojtjes shtesë. E drejta e ribashkimit nuk ka të bëjë vetëm me bashkëshortet e të huajit, por edhe me familjarë e të huajit. Në këtë grup bëjnë pjesë fëmijë të mitur deri 18 vjeç, fëmijë të rritur, në ngarkim, që nuk mund të plotësojnë kërkesat e tyre, të domosdoshme të jetesë për arsye të gjendjes së tyre shëndetësore, e cila sjell një invaliditet të plotë; prindër në ngarkim të kërkuesit (por jo të bashkëshortes/it), kur ato nuk kanë fëmijë të tjerë në vendin e origjinës apo të prejardhjes, apo prindër mbi 65-vjeç, kur fëmijët e tjerë janë të pamundur t’i mbajnë ato për motive të rënda, të dokumentuara shëndetësore. “Sporteli kompetent, me marrjen e kërkesës për ribashkim familjar, kujdeset për thirrjen e kërkuesit, përmes një takimi të posaçëm për paraqitjen e certifikimit të dokumenteve të mëposhtëm, lidhur me pasjen e një strehimi dhe realizimit të të ardhurave minimale të domosdoshme”, sqarojnë ekspertët e Ministrisë së Punës.
Kushtet
Ata theksojnë se lidhur me strehimin, një certifikatë duhet të vërtetojë se bën pjesë në parametrat minimalë të parashikuara nga ligji rajonal për strehimet. ”Nëse i huaji është mysafir, duhet të bashkëngjisë deklaratën e lëshuar nga zotëruesi i apartamentit, sipas Modelit “T2”, ku vërtetohet miratimi i zotëruesit për të mirëpritur edhe familjarët e ribashkuar”, nënvizojnë ekspertët. Sa i përket të ardhurave, duhet të realizohen nga burime të ligjshme, jo më pak se shuma vjetore e çekut social, e rritur me gjysmën e tij për çdo familjar me të cilin kërkohet ribashkimi. Për ribashkimin me dy a më shumë fëmijë nën moshën 14-vjeçare, apo me më shumë familjarë të titullarëve të statusit të mbrojtjes së përkohshme, do të jetë e domosdoshme një e ardhur jo më e vogël se dyfishi i çekut social vjetor. Familjari për të cilin kërkohet ribashkimi duhet që nga ana e tij të paraqesë pranë autoriteteve italiane konsullore të akredituar në vendin ku banon, dokumentacionin që provon marrëdhëniet familjare, moshën e mitur, apo gjendjen shëndetësore. Atje ku nuk mund të provohen marrëdhëniet familjare, në mënyrë të sigurt, përmes certifikatave, apo vërtetimeve të lëshuara nga autoritetet kompetente të huaj, për arsye të mungesës së një autoriteti të njohur, apo sidoqoftë kur ka dyshime të arsyeshme mbi autenticitetin e dokumentacionit si më sipër, përfaqësitë diplomatike dhe konsullore kujdesen për lëshimin e certifikatave bazuar në ekzaminimin e ADN-së, të kryer me shpenzimet e të interesuarve.
Kushtet
E drejta për ribashkim familjar mund t’ua kërkojnë të huajve, që e zotërojnë
• kartë qëndrimi, apo leje qëndrimi CE për Rezidentët Afatgjatë (ky autorizim i ri zëvendëson kartën e qëndrimit);
• leje qëndrimi me vlefshmëri kohore jo më të vogël se një vit, të lëshuar për motive si punëmarrës, i vetëpunësuar, si dhe për motive azili, studentore, motive fetare dhe familjare, apo edhe për motive të mbrojtjes shtesë (neni 28 i Tekstit Unik për Imigrimin).
Kjo e drejtë për ribashkim përfshin
bashkëshorte/ë të të huajit/huajës,
• bashkëshort/e i/e pandarë ligjërisht dhe në moshë jo më pak se 18 vjeç;
• fëmijë të mitur deri 18 vjeç
• fëmijë të rritur, në ngarkim, që nuk mund të plotësojnë kërkesat e tyre, të domosdoshme të jetesë për arsye të gjendjes së tyre shëndetësore
• prindër në ngarkim të kërkuesit/es (por jo të bashkëshortes/it), kur ato nuk kanë fëmijë të tjerë në vendin e origjinës apo të prejardhjes, apo prindër mbi 65-vjeç, kur fëmijët e tjerë janë të pamundur t’i mbajnë ato për motive të rënda, të dokumentuara shëndetësore.