Tiranë, gjendet në zonën e ish-bllokut 14-vjeçari i zhdukur dje, Regis Lena
Tiranë- Forcat e policisë së Komosariatit numër 6 kanë bërë të mundur gjetjen e 14-vjeçarit Regis Lena, në zonën e ish-bllokut.
Lena rezultonte i humbur që prej ditës së djeshme në rrugën Misto Mame dhe familjarët e tij denoncuan rastin në polici sot pasdite.
Sipas familjarëve, Regis Lena, kishte dalë nga shtëpia rreth orës 19:00 të pasdites së djeshme për të shkuar në një qendër interneti për të punuar për një detyrë që kishte në shkollë, por nuk ishte kthyer më.
Familjarët e 14-vjeçarit thanë se djali i tyre kishte lënë në shtëpi edhe dy aparatet celular që ai dispononte. Ndërsa thanë se nuk kanë patur asnjë grindje apo konflikt me Regisin, dhe se kjo është hera e parë që ai largohej nga shtëpia.
Familjarët kanë kërkuar vetë gjatë gjithë natës së mbrëmshme për të gjetur djalin e tyre, kanë pyetur edhe në qendrën e internetit në të cilën ka qenë për herë të fundit djali, por nuk kanë arritur të gjenin asgjë të vlefshme.
Shokët e Regisit kanë thënë se e kanë parë pranë pallateve Çabej. 14-vjeçari në momentin që ishte larguar nga shtëpia mbante veshur pantallona xhinse, treçerekëshe në ngjyrë blu, bluzë të bardhë dhe atlete.